“Është ëndërr”, Pjaniç “harron” CR7: Messi, më i miri i historisë

“Është ëndërr”, Pjaniç “harron” CR7: Messi, më i miri i historisë

Muzikë maestro Pjaniç! Kështu e prezantoi Barcelona blerjen e mesfushorit boshnjak Miralem Pjaniç.

Ditën e djeshme ai foli përpara mediave për këtë ëndërr që po bëhej realitet.

Por në pak kohë duket se harroi Cristiano Ronaldon dhe përzgjodhi Lionel Mesin si lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave.

Mendoni se keni stilin e Barcelonës dhe do të përshtateni menjëherë?

Të luash te Barcelona është gjithmonë krenari. Që kur isha i vogël e kisha këtë ëndërr. Të jesh pjesë e këtij klubi është diçka e jashtëzakonshme. Jam në klubin më të mirë në botë. Kur u futa në dhomat e zhveshjes kuptova se çfarë do të thotë Barcelona. Për mua është një mundësi e artë që të jem në të njëjtin klub me të tillë kampionë.

Shpresoj të jap kontributin tim dhe të ndihmoj ekipin me eksperiencën dhe cilësitë që kam. Shokët e skuadrës duhet të mbështeten tek unë. Unë shpresoj që të përshtatem shpejt me këtë stil. Tjetër gjë është ta shikosh dhe tjetër gjë ta luash.

Pse vendosët të linit Juventusin pas asaj që i ndodhi Barcelonës në Champions?

Të largohesh nga Juventusi është gjithmonë e vështirë. Ka një president të shkëlqyer, i cili më ka ndihmuar shumë. Por një futbollist gjithmonë dëshiron stimuj të rinj dhe sfida. Barcelona ishte ëndrra ime. Nëse do të largohesha për një skuadër nga Juventusi, ishte pikërisht Barcelona.

Viti i kaluar ishte shumë i vështirë për të gjithë botën, për njerëzit dhe futbollistët. Nuk ishte e lehtë ajo që ndodhi në Champions, por nuk duhet të shohim pas. Probleme ka në të gjitha skuadrat, por tani duhet të jemi të gjithë bashkë për të ndërtuar të ardhmen. Të ndash dhomën e zhveshjes me Leo Mesin është diçka e jashtëzakonshme. E shoh të qetë dhe të motivuar.

Çfarë përjetuat kur po shikonit ndeshjen Barcelona-Bayern?

E pashë ndeshjen. Janë takime që ndodhin në futboll. Në karrierën time kam pasur humbje të rënda. Nga jashtë të krijohej ideja që gjithçka e keqe po ndodhte atë ditë. Por “COVID-19” nuk është justifikim, sepse lojtarët gjithmonë kërkojnë të bëjnë më të mirën. Ishte një goditje e rëndë për të gjithë. I lexoja me vëmendje deklaratat e lojtarëve dhe drejtuesve. Por tani të punojmë për gjërat pozitive.

Te Barcelona kujtojnë golin që ju i shënuat Realit në “Bernabeu” kur luanit me Lyonin. Do t’ju pëlqente ta përsërisnit?

Unë e kujtoj. Ishte një gol i rëndësishëm kundër një skuadre të madhe. Ishte diçka e bukur. Në atë kohë isha i ri dhe më pëlqente të eksploroja kundërshtarët dhe stadiumet.

Do t’ju pëlqente që të vinit te Barcelona më i ri? Si e keni parë Messin?

Sigurisht që do të më pëlqente, por në futboll ligjin e bën merkatoja. Futbolli është i tillë. Unë kam luajtur në skuadra të mëdha dhe gjithmonë i kam respektuar ato. Sot është një ëndërr që bëhet realitet. Do të jap gjithçka që kam që të lë kujtime të bukura këtu. Kam ndjekur gjithçka që ndodhi me Messin. Por nuk e shoh dot Messin larg Barcelonës. Ai ka bërë një histori të jashtëzakonshme me këtë skuadër dhe kjo histori do të përfundojë mirë. Leo është një fitues, një triumfues. Ai është më i miri i të gjitha kohërave dhe ta kesh në skuadër është diçka pozitive.

Çfarë pret nga ju trajneri Koman?

Kam folur disa herë me trajnerin Koeman. Fillimisht e përshëndeta. Ai është një trajner që ka treguar shumë vlera gjatë këtyre viteve. Nuk kam folur ende për aspektin taktik, por shpresoj që të integrohem mirë dhe të përshtatem me futbollin e tij. Por e dimë që sezoni është i gjatë dhe jam në dispozicionin e tij. Do të jap më të mirën nga vetja dhe dua të fitoj besimin e tij dhe të shokëve të skuadrës.

Si e kishit raportin me Luis Enriqen te Roma?

Kisha një raport të shkëlqyer me të. Më erdhi keq që nuk punova dot më shumë. Ai mendonte që të luante futbollin e Barcelonës edhe te Roma, por kjo nuk është diçka e lehtë.

Si e përjetuat momentin kur mësuat se ishit të prekur me Koronavirus?

Sigurisht që u trondita. Ishte diçka e papritur për mua. Në atë moment nuk e kupton dot se si e ke marrë virusin. Punova në shtëpi dhe në palestër. Do të më pëlqente që të vija më shpejt në stërvitje, por këto janë rregullat. Tani shpresoj që të luaj në ndeshjen e ardhshme.

Ju keni luajtur me Tottin, pastaj me Ronaldon dhe tani me Messin.

Leon e kam njohur vetëm 3 ditë më parë. Kam luajtur me Tottin dhe Cristianon dhe tani me Leon. Ky është një fat i madh. Janë futbollistë që i kanë dhënë shumë këtij sporti. Tani do të jem shok skuadre me një jashtëtokësor. 

TEMAT: