Hamza:Në Bruksel ka rrezik të formohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive
BKT
Lajme

Hamza:Në Bruksel ka rrezik të formohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për marrëveshjen e 4 shtatorit në SHBA.

Hamza është shprehur se dialogu ka degraduar nga ai politik në dialog teknik dhe PDK konsideron se ky është shans i humbur, shkruan lajmi.net.

“PDK-ja e ka përkrahur dialogun, një dialog i cili bazohet në Kushtetutën e Kosovës, i cili e siguron integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, karakterin unitar dhe i cili Kosovës i siguron ulëse në OKB dhe integrim në institucionet euroatlantike. Roli i SHBA-ve jo që është i mirëpritur por është jetik që Kosova të udhëtojë drejtë. Mirëpo ka ndodhur devijimi edhe si rezultat i paragjykimeve dhe paranojave rreth këtij procesi dhe ka degraduar dialogu nga dialogu politik në dialog teknik dhe ne konsiderojmë se ky është shans i humbur.”, tha Hamza.

Më tutje, ai është shprehur se në Bruksel ka rrezik të formohet Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive.

“Nuk po filloj me dokumentin e nënshkruar, por me takimet që po ndodhin në Bruksel. Takime ku lehtësisht mund të jetë Asociacioni, jo një OJQ që bashkon komuna, por një asociacion me kompetenca ekzekutive dhe këtë drojë nuk mund të ma heqë z.Kryeministër sepse keni thënë qe nuk e keni pranuar mini-Schengenin, dhe dua t’iu pyes a e keni pasur mirë atëherë apo sot? Kosovës i duhet Schengeni dhe jo mini-Schengeni”, tha Hamza.

Hamza  tha se Kosova duhet të ketë kujdes me obligimet që i merr sepse mund të mos i plotësojë.

“Çështjet financiare që mund të diskutohen në Bruksel, të kemi të qartë se ne pranojmë obligime dhe ato që i pranojmë mund të jenë të tilla që nuk i detyrohemi Serbisë, por palës së tretë dhe para se të marrim obligime ne duhet të insistojmë në të drejtat tona të cilat Serbia nuk po i pranon”, tha Hamza.

Ish-ministri Hamza në fund tha se është e rëndësishme të dihet se ku do të investohen 1 miliardë euro pasi të gjitha projektet e përmendura nuk mund të realizohen brenda kësaj shume.

Gjithashtu ai e ka pyetur Hotin nëse paratë janë donacion ose kredi.

“Është shumë e rëndësishme takimi në Shtëpinë e Bardhë dhe prezenca e presidentit Trump. Ne i kemi përshëndetur pikat pozitive të marrëveshjes, po z.Ministër, do të ndalesha tek pikat të cilat nuk janë të favorshme për Kosovën. Po flasim për një dokument për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, nuk është z.kryeministër dokument që adreson vetëm çështje ekonomike, sepse ka më shumë çështje politike e diplomatike sesa ekonomike. Nëse flasin për projekte, atëherë kur do të fillojnë këto projekte, cila është vlera e tyre. Po përmenden 1 miliard euro, ku do të shkojnë këto miliardë euro, në autostrada, hekurudha apo në sjelljen e gazit dhe a mjaftojnë? Këto 1 miliardë a janë grant, donacione apo janë kredi që Kosova do t’i kthejë edhe me normë të interesit mirëpo projektet për të cilat po flisni nuk mund të paketohen Brenda 1 miliardi dhe nëse bëhen shumë miliarda dhe borxhi publik i Kosovës shumë shpejt mund të shkojë në 2 miliardë dhe atëherë Kosova e ka problem ta bartë këtë borxh”, tha Hamza.


MË SHUME NGA Lajme