Kadrijaj: Pa ShBA-në s`ka garanci të arrihet e të zbatohet një marrëveshje
Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike SHBA-ja ka dëshmuar edhe një herë lidershipin botërorë.
“Është bërë një dekadë pothuajse kur Kosova ka filluar bisedimet me Serbinë është quajtur si dialog teknik dhe më pas si dialog politik, apo dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Aq keq u bë puna në këtë dialog sa Kosova përfundoi në një proces jo transparent ku diskutoheshin territoret e saj ku cenohej çdo sukses i arritur deri para aso kohe”.
“I gjithë ky proces i udhëhequr nga Bashkimi Evropian degradoi në atë pikë sa Kosova mbeste vetëm spektatore në tavolinën ku diskutohej. Kosova hodhi një hap përpara me marrëveshjen në Washington me njohjen nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe një herë lidershipin botëror e konfirmuan interesim strategjik për paqe dhe për stabilitet ekonomik në Kosovë dhe në rajon”.
“Tani pritjet tona janë që edhe BE-ja të tregoi seriozitet dhe përkushtim që Kosovës t’i mundësojë njohjen nga shtetet e saj që se kanë njohur. Po ashtu edhe të mundësojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Nëse dëshirojnë që ne ti marrim seriozisht angazhimet e tyre”.
Kadrijaj ka thënë se pikat e dialogut që i ka paraqitur Hoti, AAK-ja i ka mbështetur dhe do t’i mbështes.
“Parimi numër 1 lidhet me hapësirën territoriale të Kosovës dhe mos diskutimi i asnjë teme që ndërlidhet me kufirin, e përcaktuar me Kushtetutë të Kosovës ashtu siç është paraparë në pika kufitare. Ne qëndrojmë të pa luhatshëm në këtë temë”.
“Parimi numër dy ndërlidhet me rendin dhe sistemin unitar dhe kushtetues të Kosovës, kjo do të thotë se gjithëçka që e prek sistemin kushtetues të Kosovës nuk do të diskutohet, nuk do të diskutohet në asnjë vend pos në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës. Më thënë më saktë asociacioni është temë e mbyllur me Gjykatën Kushtetueses dhe si e tillë është temë që nuk mund të diskutohet askund tjetër”.
“Parimi numër 3 ndërlidhet me njohjen reciproke që në esencë do të thotë marrëveshja të sigurojë njohjen reciproke në mes vendeve”.
“Pa rolin prijës të Amerikës një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e garantuar. Pa SHBA-në nuk asnjë garanci që një marrëveshje finale do të arrihet, pa SHBA-në nuk ka garanci që marrëveshja do të implementohet sukseshëm”, ka thënë Kadrijaj para deputetëve sot në Kuvendin e Kosovës.























