Ushqimet që duhet të konsumohen për një gjumë më të mirë
BKT
Lifestyle

Ushqimet që duhet të konsumohen për një gjumë më të mirë

Çelësi për një jetë të mirë dhe të shëndetshme është gjumi i rregullt. Por, në këtë periudhë pandemie, rritja e nivelit të stresit, ankthit dhe përkeqësimi i dietës po shkaktojnë çrregullime të mëdha të gjumit tek shumë njerëz.

Duhet të dimë se ushqimet e konsumuara gjatë ditës kanë një efekt të madh në gjumë dhe shumë lehtë mund të rrisim ose prishim cilësinë e tij nga ajo çfarë zgjedhim të konsumojmë.

Ngrënia e ushqimeve që treten me vështirësi si ushqimet e skuqura, ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre dhe sheqeri apo konsumimi i pijeve si çaji, kafeja dhe koka-kola me përmbajtje të lartë të kafeinës afër kohës së gjumit do ta vështirësojnë kalimin në gjumë dhe do të ulin cilësinë e tij.

Ndërsa nga ana tjetër, kemi ushqimet që përmirësojnë cilësinë e gjumit. Karakteristikë e përbashkët e këtyre ushqimeve është se ato janë të pasura me aminoacid triptofan, që ndihmon në përshtatjen e trupit për ndryshimet ditë-natë. 

Prandaj, për një cilësi sa më të mirë të gjumit, ushqimet që duhet të konsumoni më shumë në kohën e darkës janë: Banane, kajsi, mollë, spinaq, patate e ëmbël, bajame, qumësht, farë liri, kos, bishtajore si dhe çajra bimorë pa kafeinë.