Shqipëria e konfirmon pjesëmarrjen në Eurovision 2021

Shqipëria e konfirmon pjesëmarrjen në Eurovision 2021

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) konfirmoi për ESCToday pjesëmarrjen në garën e ardhshme të Eurovision Song Contest 2021, i cili do të mbahet në Hollandë.

RTSH konfirmoi për ESCToday se Shqipëria nuk do të përfaqësohet nga Arilena Ara, fituesja e edicionit të kaluar të Festivalit të Këngës, por nga fituesi/ja e këtij viti.

Festivali i Këngës do të mbahet në dhjetor, ndërkohë që datat nuk janë specifikuar ende. Shqipëria është një nga shtetet, si Suedia, Estonia, Finlanda, Franca, Kroacia etj., të cilat kanë vendosur të mos përfaqësohet me fituesin e mëparshëm. Shtojmë se shtete si Spanja, Gjeorgjia, Greqia, Zvicra etj., do të marrin pjesë me përfaqësuesin/en e vitit 2020.

Gjon’s Tears, këngëtari me origjinë shqiptare, do të përfaqësojë Zvicrën me “Répondez-moi”.

Në fillim të korrikut, RTSH njoftoi se kanë nisur përgatitjet për Festivalin e 59 të Këngës.

“Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet. Nëndrejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi sot takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues. Në takim u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival,”u shkrua në njoftim.

Sipas njoftimit, pritet që këtë muaj, krijuesit të paraqesin këngët konkurrente për edicionin e 59.