Selimi kritikon Veliun, deklaratat e tij për Karaçevën i quan skandaloze

Selimi kritikon Veliun, deklaratat e tij për Karaçevën i quan skandaloze

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se deklaratat e ministrit Agim Veliu, jo që janë të papërgjegjshme, por, siç tha ai, secila brenda saj përmban "një skandal në vete".

“Si është e mundur që ju si ministër të deklaroni se qytetarët atje nuk janë të rrezikuar por të shqetësuar, apo deklarata e fundit që situata atje është e qetë, nuk ka reagime të banorëve, thua që ti e ke shqetësim reagimin e banorëve e jo futjen e forcave serbe atje”, ka theksuar Selimi.

Ai ka kritikuar edhe deklaratën e Veliut lidhur me kërkesën bërë KFOR-it që pala serbe brenda mundësive të mos zbres shumë poshtë kufirit.

Selimi ka thënë se është habitur nga fjalimi i Veliut.

“Zotëri Veliu me aq sa pashë unë, nuk e kuptova shumë mirë, a e dini ku i ka kufijtë Kosova, sepse asnjëherë nuk iu referove atij kufiri si kufij shtetëror, por herë si vijë administrative, herë si vend i kontestuar, herë si kufij që nuk ekziston e të tjerë”, ka deklaruar Selimi.