Ademi: Krenar me vajzat tona Dardane!
BKT
Sport

Ademi: Krenar me vajzat tona Dardane!

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka përgëzuar Kombëtaren e Kosovës në konkurrencën e femrave pas fitores kundër Estonisë.

‘Dardanet’ sonte në ‘Fadil Vokrri’, mundën Estoninën, me rezultat 2-0, në kuadër të kualifikueseve për EURO 2021.

I pari i futbollit tonë, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë së ndihet krenar me paraqitjen e vajzave tona. Sipas Ademit, Kosova plotësisht e meritoi fitoren.

Ky është postimi i Ademit:

Krenar me vajzat tona Dardane!

Triumfi i sotëm i Kombëtares së Kosovës ndaj Estonisë ishte plotësisht i merituar.

Përgëzoj futbollistet për lojën e shfaqur dhe stafin drejtues të ekipit për përgatitjen e mirë të kësaj ndeshje përkundër mungesave të shumta të futbollisteve që luajnë në klubet evropiane e që nuk kishin mundësi t’i përgjigjeshin ftesës së Kombëtares për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

Fakti që kjo fitore erdhi pikërisht me ekipin e përbërë pothuajse plotësisht me futbollistet që luajnë në kampionatin vendor konfirmon se investimi i Federatës dhe klubeve në zhvillimin e futbollit të femrave po jep fryte.

Gjithsesi, kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fitore dhanë edhe dy futbollistet që luajnë në klubet evropiane, Erëleta Memeti dhe Edona Kastrati, të cilat me gjithë peripecitë e mëdha arritën që t’i bashkohen kombëtares.

Edhe një herë urime Dardaneve për këtë sukses.

Vazhdojmë tutje me krenari e përgjegjësi!

A.A.