U ndanë çmimet “Emmy” në ceremoninë e organizuar në kohë pandemie

U ndanë çmimet “Emmy” në ceremoninë e organizuar në kohë pandemie

Në kushte të reja duke iu përshtatur pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit, të dielën mbrëma u mbajt edicioni më i ri i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Emmy”, të cilat i nderojnë projektet më të mira në televizion.

E prezantuar nga Jimmy Kimmel i cili ceremoninë e hapi me fjalinë “Mirësevini në Pand-Emmy”, kjo ngjarje e cila megjithëse u mbajt online arriti të realizohet me mjaft sukses, transmeton Koha. Shpërblime të shumta u ndanë gjatë mbrëmjes, ku nuk mungoi edhe glamuri i yjeve të hollywoodit, përfshirë këtu kategoritë për serinë më të mirë dramë, komedi dhe seri televizive e limituar.

Në kategorinë për dramë këtë vit triumfoi seria “Succession” e cila i rrëmbeu gjithsej 4 çmime, përfshirë çmimin kryesor të mbrëmjes, “Drama më e mirë televizive”, “Regjisori më i mirë në dramë” dhe “Aktori më i mirë në dramë”, shpërblim ky i cili shkoi për yllin, Jeremy Strong.

Befasia më e madhe e mbrëmjes doli të jetë momenti kur 24-vjeçarja, Zendaya, u shpërblye me çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”, për rolin e jashtëzakonshëm në serinë “Euphoria”. Kështu, ajo arriti t’i mund dy favoritet për t’u shpërblyer në këtë kategori, Laura Linney dhe Jennifer Aniston, dhe u bë aktorja më e re në moshë që e fiton këtë çmim dhe aktorja e dytë zezake e shpërblyer në këtë kategori.

Tutje, për herë të parë në historinë 72-vjeçare të kësaj ceremonie, një komedi arriti të triumfoi në të gjitha kategoritë ku ishte nominuar, në të njëjtin vit. Fjala është për serinë “Schitt’s Creek” e cila i rrëmbeu gjithsej shtatë shpërblime gjatë mbrëmjes, përfshirë këtu çmimet “Seria më e mirë komedi”, “Aktorja më e mirë” që shkoi për protagonisten Catherine O’Hara, “Aktori më i mirë” të cilin e fitoi Eugene Levy, si dhe “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në rol dytësorë”, shpërblime këto të cilat i fituan, Daniel Levy dhe Annie Murphy.

Ndërkaq, seria e cila prek tema të ndryshme të racizmit, “Watchmen”, triumfoi në kategorinë “Seria më e mirë e limituar” si dhe protagonist e këtij shou, Regina King, u shpall “Aktorja më e mirë në seri të limituar”.

Pandemia e koronavirusit bëri që për herë të parë në histori, ceremonia e shpërblimeve “Emmy” të mbahet pa qilim të kuq dhe pa prezencën fizike të publikut në sallë. Në vend të kësaj, organizatorët e ceremonisë kishin dërguar kamera dhe mikrofona në shtëpitë e të gjithë yjeve të nominuar, të shpërndarë në 125 vende të ndryshme anembanë botës, të cilët më pas kishin pasur mundësin të zgjedhin se si duan të prezantohen para publikut.

Përveç emocioneve që i përcolli ndarja e çmimeve “Emmy”, mbrëmja u përcoll me emocion të fuqishëm dhe trishtim gjatë segmentit “In Memoriam”, me ç’rast këngëtarja H.E.R. i performoi disa këngë në kujtim të personaliteteve të famshme që kanë vdekur gjatë këtij viti si: Chadwick Boseman, Adam Schlesinger, James Lipton, Fred Willard, Jerry Stiller, Max Von Sydow, Carl Reiner, Kirk Douglas, Regis Philbin, Ruth Bader Ginsburg, Naya Rivera dhe të tjerë.