Haradinaj-Stublla: Homologu grek ma konfirmoi përkrahjen për Kosovën

Haradinaj-Stublla: Homologu grek ma konfirmoi përkrahjen për Kosovën

“Homologu grek më konfirmoi mbështetjen e madhe të Greqisë në përmbylljen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit të gjerë rajonal politik dhe ekonomik, për të ruajtur qëndrueshmërinë e paqes dhe stabilitetit, dhe fuqizuar perspektiven eurointegruese të rajonit”, ka shkruar ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla në llogarinë e vet në “Facebook”.

Në kuadër të sesionit të 75-të të UNGA, Haradinaj-Stublla, ka mbajtur sot një videokonferencë me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

“Me ministrin Dendias biseduam edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit, që i hapë rrugë marrëveshjes finale të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues, dhe që respekton rendin kushtetues e karakterin unitar të Republikës së Kosovës. Me homologun grek theksuam nevojën e thellimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, duke thelluar edhe më tej dialogun praktik që kemi me Greqinë”, ka shkruar ajo.