Nagavci: Nëse Hoti do të anulojë diçka, le të anulojë takimet me Vuçiqin

Nagavci: Nëse Hoti do të anulojë diçka, le të anulojë takimet me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama janë pajtuar për shtyrjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e paraparë këtë të premte, për datën 2 tetor, për shkak të raportimit të kreut të ekzekutivit kosovar në Kuvend.

E kjo ka shkaktuar reagimin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila porosit Hotin që të mos e përdorë arsyetimin e raportimit për punën 100-ditëshe para ligjvënësve me shtyrjen e takimit.

“Si inicuese e kërkesës për të thirrur në raportim Avdullah Hoti lidhur me 100-ditëshin e tij, e presim në Kuvend javën e ardhshme. Nuk ka nevojë që të anulojë mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Përkundrazi. Nëse Hoti do të anulojë diçka, le të anulojë takimet me Vuçiqin me arsyetimin se nuk ka mandat nga Kuvendi për koncesionet që po i bën Serbisë dhe se duhet të raportojë para deputetëve. Me këtë anulim të takimit me Vuçiq, të paktën do të kishim një dëm më pak nga shumë që tashmë kanë sjellë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.


MË SHUME NGA Aktuale