​PDK nuk përkrahë “Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”

​PDK nuk përkrahë “Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”

Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta përkrahë Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të propozuar nga Qeveria e Kosovës, derisa i ka bërë thirrje Qeverisë që ta votojë propozimin e saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, para fillimit të seancës së Kuvendit tha se ligji i propozuar nga Qeveria nuk është i mirë dhe nuk përkrahë sektorin privat.

Sa i përket tërheqjes së 10 përqind nga Trusti Pensional, Hamza tha se kjo çështje mund të rregullohet me një amendament në kuadër të Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, për çka garantoj se do të japin votat e tyre.

Hamza: ligjin të cilin e ka propozuar Qeveria nuk ka substancë, nuk përkrahë sektorin privat

“Ta bëjmë një ligj të mirë, të qëndrueshëm, i cili përkrahë dhe është në përkrahje të sektorit privat, të punësuarve në sektorin privat dhe kategorive të tjera. Përndryshe, nëse është në pyetje vetëm mjetet e trustit pensional atëherë ne si PDK propozojmë që me një amendament, nevojitet veç një nen i ri në Ligjin për Fondin e Kursimit Pensional të Kosovës dhe kjo punë kryhet me procedurë të përshpejtuar, njerëzve t’iu mundësohet që t’i tërheqin mjetet e tyre. Por, ne si PDK mendojmë se një pjesë e tyre realisht edhe kështu nuk kanë grumbulluar mjete të mjaftueshme që ia siguron një pension me një minimum të domosdoshëm që këto mjete të rimbulësohen. Prandaj, ligjin të cilin e ka propozuar Qeveria nuk ka substancë, nuk është ligj që përkrahë sektorin privat, nuk është ligj që i ndihmon të punësuarit në sektorin privat, nuk është ligj që i mundëson kategoritë që janë në nevojë si pensionistët dhe kategoritë e tjera që përfitojnë prej buxhetit”, tha ai.

Hamza u shpreh se propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës është më i dobishëm, për çka edhe ka ftuar pozitën që ta votojë.

Hamza: Qeveria është mirë me e votua propozimin tonë se është më i dobishëm për ekonominë

“Qeveria është mirë me e votua propozimin tonë se është më i dobishëm për ekonominë, është më gjithëpërfshirës, ka përmbajtje. Të dyja janë në votim, në këtë seancë të dyja do të jenë në votim, por ne po i themi nëse është në pyetje veç trusti mos e emërtoni Ligj i Rimëkëmbjes Ekonomike, sillna ligjin e Fondit të Kursimeve Pensionale një nen, unë po i garantoj që PDK 24 vota ka me ia dhënë edhe në lexim të parë brenda ditës kemi me e shqyrtua në dy leximet dhe kemi me e përfundua për një ditë punën”, tha Hamza.

Ai ka treguar çështjet që i duan si pjesë e ligjit për rimëkëmbje ekonomike, për të cilat tha se janë shumë konkrete dhe me burim të qartë të financimit.

Hamza: Të përkrahet sektori privat, bizneset përmes ndihmës financiare pa kthim përmes granteve

“E para, të përkrahet sektori privat, bizneset përmes ndihmës financiare pa kthim përmes granteve, sidomos bizneset e vogla, gastronomia po edhe bizneset tjerat të cilat realisht kanë ardhur në gjendje të vështirë. Të subvencionohet norma e interesit për kreditë, do të thotë që ato para t’iu dalin më lirë, të kenë mundësi të tërheqin kredi dhe përmes kredive të ndikohet edhe në investime edhe në konsum, kjo është e dyta. E treta, të ndihmohen të punësuarit në sektorin privat, sepse ne e dimë që dy herë iu kanë dhënë nga 170 euro, një pjesë e tyre i kanë humbur vendet e punës plotësisht dhe ata kanë nevojë të përkrahen dhe çështja tjetër te pensionistët”, tha ai.