Shala: Mos e përdorni RTK-në për qërim hesapesh politike

Shala: Mos e përdorni RTK-në për qërim hesapesh politike

Mbrëmë disa kolegë më kritikuan pse i kam postuar dy reagime (njëri i Migjen Kelmendit e tjetri i Ardi Nurellarit) që atakonin RTK-në për qasjen editoriale. Dhe përgjigja ime ishte shumë e thjeshtë:

I kam transmetuar e publikuar edhe konferencat e subjekteve të caktuara politike të cilat publikisht më linçonin me fotografinë time në dorë e përdornin gjuhën ma të poshtër , gjuhën e urrejtjes kundër meje personalisht dhe familjes sime duke më quajtur edhe kryekriminel! 
I kam transmetuar reagimet politike edhe kur më sulmuan me bombë në shtëpi! 
I kam transmetuar e postuar të gjitha sulmet që bëheshin ndaj RTK-së, ndaj meje personalisht dhe familjes sime! 
I kam transmetuar e publikuar reagimet e zyrtarëve të lartë partiak kur i orientonin masat e protestuesve të dhunshëm prej Universitetit te RTK-ja!
I kam transmetuar protestat e partive politike kundër RTK-së! 
Ua kam hapur dyert o oborrit të RTK-së protestuesve politikë që vinin e çirreshin kundër RTK-së para dyerve të RTK-së! 
Ua kemi hapur studiot e RTK-së edhe kur po në këto studio na shanin e poshtëronin politikanët!
Dhe do t’i publikojë e transmetojë sa herë që ka reagime të secilës natyrë!
Dhe vetëm për një arsye: Sepse jemi transmetues publik! 
Kjo është përgjigje për kolegët e mi! 

Ndërsa për partitë politike nuk kam çka të them më shumë se janë pikërisht ato që e kanë sjellë RTK-në në këtë situatë në të cilën gjendet sot. E para, sa herë që partitë politike dëshirojnë t’i qerojnë hesapet mes vete, fillimisht e godasin RTK-në dhe kjo nuk është asgjë e re! 
E dytë gjithmonë ka munguar vullneti i përbashkët politikë për ta pasur një RTK të fortë dhe më profesionale. 
Partitë politike në vend se ta forcojnë me ligj pavarësinë e RTK-së, më shumë kanë qenë të preokupuar si të krijojnë aleanca, grupe dhe misionar brenda RTK-së në mënyrë që nga brenda ta shkatërrojnë RTK-në. Sot RTK-ja punon në kushte të tmerrshme. Në një objekt që as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për punë. Sot RTK punon në garazha të automjeteve të cilat kemi qenë të detyruar t’i shndërrojmë në studio për shkak të mungesave të hapësirave për punë. Sot RTK punon me një buxhet që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e RTK-së! Sot RTK punon me një ligj të përgjysmuar i cili nuk e parasheh formën e financimit të RTK-së! Kur t’i teket secilës Qeveri ta ndan sa të do vetë buxhetin pa të pyetur fare! Sot RTK vazhdon të punojë me presionin e përditshëm politikë! Janë partitë politike ato që e bllokuan ligjin e RTK-së të kalojë në Kuvend dhe e ndaluan sepse ai ligj e rregullonte pavarësinë editoriale e financiare të RTK-së! E kjo sigurisht që nuk ju konvenon partive politike sepse me rritjen e pavarësisë financiare rritet edhe pavarësia editoriale! 
RTK i ka projektet për digjitalizim të rrjetit transmetues, produksionit e arkivave të vjetra audiovizuale që nga viti 2013. Kemi kërkuar ndihmën e institucioneve në secilën Qeveri që ka qenë që nga 2013 e këndej. Dhe as që na kanë marrë parasysh! 
RTK e ka projektin ideor për objektin e ri për transmetuesin publik, e kemi të ndarë edhe parcelën për ndërtimin e objektit por nuk kemi gjetur përkrahje dhe vullnet politikë për tē ndihmuar në këtë rast. Sepse nuk janë të interesuar ta rehatojnë RTK-në. 
Me forca tona dhe përkushtim personal kemi arritur ta zgjerojmë hapësirën programore televizive nga 24 në 96 orë brenda ditës. Kemi hapur një kanal televiziv për komuniteti serb që sot e asaj dite, Serbia ende vajton për ta pasur nën kontrollë. I kemi shndërru garazhat e makinave dhe depot në studio televizive. 
Kemi avancu sistemet e brendshme dhe i kemi rikthy donatorët japonez. Dhe të gjitha këto pa asnjë cent shtesë në buxhet nga shteti e asnjë lloj përkrahje tjetër. 
RTK ka mbijetuar falë dashurisë, përkushtimit dhe rezistencës së stafit të vet ndaj secilit presion të jashtëm! Përndryshe do të kishte kapitulluar qysh moti!
Prandaj, si ish menaxher për shumë vjet i RTK-së dhe punëtor në këtë transmetues që nga viti 2000 edhe njëherë u bëj thirrje partive politike që mos ta përdorin RTK-në për qerim hesapesh mes vete, por ta ndihmojnë RTK-në duke e miratuar ligjin për Transmetuesin Publik dhe ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë këtë problem.