Qumështarët: Do të vazhdojmë të protestojmë, jemi duke falimentuar
I ftuar në emisionin “Imazh” të RTK-së, Ramadan Memaj nga shoqata e prodhuesve të qumështit, ka thënë se qëllimi i protestës së sotme ishte largimi nga tregu i Kosovës të produkteve me vaj pallme, ashtu siç ka marrë vendim Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ditë më parë.
“Është e pakuputeshme që Qeveria e Kosovës nuk po e merr seriozisht këtë vendim. Prej 70 mijë litrave qumësht, një sasi e tij po dërdhet çdo ditë nga prodhuesit kosovarë. Nuk po shihet fundi i kësaj problematike, pasi që Qeveria e Kosovës po heziton të na ndihmoj dhe të bëjë zgjidhje”, ka thënë Memaj.
Më pas ai ka treguar se kjo shoqatë sot është takuar me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa. “Kishim takim me Hotin dhe Mustafën, të cilëve ua treguam shqetësimet tona. Ju tham se protestat nuk do të ndalet derisa të zbatohet plotësisht vendimi dhe nga tregjet tona të largohen prodhimet me vaj pallme, vaj ky i rrëzikshëm”.
Sipas tij, shoqata ka marrë premtim nga Hoti dhe Mustafa që do të gjejnë zgjidhje për këtë problem, mirëpo, Memaj shton se deri më tash nuk ka asgjë konkrete.
“Ne kërkojmë vetëm funksionim të ligjit, pasi që prodhimet me vaj pallme janë ilegale. Prodhimet me vaj pallme nuk kanë bazë ligjore që të importohen në Kosovë. Shteti po lejon me tonelata produkte me vaj bimor që të hyjë në Kosovë e që është në kundërshtim me ligjet. Këto prodhime po vijnë nga Malajzia, Indonezia, Kina…”, ka thënë Memaj, duke shtuar se fermerët kosovarë po falimentojnë çdo ditë. /RTKLive/























