Gjykata Speciale i pamundëson Avdijajt të përcjellë paraqitjen e Haradinajt
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, është paraqitur sot në ora 15.00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykata ka njoftuar mbrëmë përmes një komunikatë për kohën se kur do të paraqitet Haradinaj para trupit gjykues.
“Nesër, (e martë) do të jetë paraqitja e parë e nënkryetarit të OVL të UÇK-së në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media.
Por, ky njoftim i orëve të vona u ka pamundësuar bashkatdhetarëve tonë që jetojnë afër Hagës, që të marrin pjesë si publik në seancën e sotme, shkruan Gazeta Scanner.
Valon Avdijaj, i riu që jeton në Belgjikë, por që në Kosovë u bë i njohur nga këngët që i këndonte para Hagës, derisa mbështeste presidentin e vendit, Hashim Thaçi, kur u intervistua në Hagë, i ka thënë Gazetës Scanner, se për shkak të njoftimit të vonshëm të Gjykatës, si dhe përgjigjes po ashtu të vonshme të Gjykatës nuk ka pas mundësi që të marrë pjesë në seancën e parë, ku edhe do t’i jepte mbështetje morale Haradinajt.
Me të marrë njoftimin për mbajtjen e seancës, ai ju kishte drejtuar Gjykatës që t’i lejohej të merrte pjesë në seancë, në pjesën e publikut, por përgjigjen që e kishte marrë, ndonësë pozitive, ishte e vonuar.
Ai i dëshpëruar i ka thënë Gazetës Scanner se ka qenë shumë i gatshëm që të shkojë në seancë, por ai ka marrë përgjigjen në ora 14:15, derisa seanca fillonte në 15:00, ndërkaq këkohej që për shkak të situatës me COVID-19, të ishte në sallë 60 minuta përpara, për cka ishte e pamundur të mbërrinte
“Pjesëmarrja juaj në përcjelljen e paraqitjes së parë të Nasim Haradinajt, të martën, më 29 shtator në ora 15:00 nga galeria për publikun e sallës së gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës është konfirmuar. Ju lutemi informohuni se asnjë lloj kamere, pajisje regjistruese ose ndonjë pajisje tjetër elektronike nuk lejohen në galerinë publike”, thuhet në përgjigjen e gjykatës dërguar Avdiajt, ku poashtu kërkohet që në Gjykatë të arrihet 60 minuta përpara.
“Ju lutemi mbërrini 60 minuta para se të fillojë seanca, pasi hyrja në ambiente do të zgjasë më shumë për shkak të masave të vendosura të Covid-19.
Në hyrje të ndërtesës, do t’ju kërkohet të paraqisni një ID të vlefshme, si dhe këtë email.
Sapo të kaloni nëpër detektorët e metaleve, Zyrtarët e Sigurisë do t’ju drejtojnë në galerinë publike”, thuhet tutje në përgjigjen me email.























