Mavraj: Një Tetori theu mitin e policit serb
Në emisionin “Studio e hapur”, në RTK, publicisti Muhamet Mavraj, si njëri nga organizatorët e protestës së studentëve të UP-së, më 1 Tetor, 1997, foli për shkaqet dhe rrethanat që sollën këtë ngjarje të rëndësishme për vendin.
“Një Tetori 1997 nuk është një ngjarje që i përket vetëm asaj dite që futet në hiostori dhe bëhet e rëndësishme, përkundrazi, kjo ngjarje ka parahistorinë e vet, e cila është shumë e vështirë, shikuar rrethanat në të cilën kanë ekzistuar atëherë, duhet kuptuar se ishim nën okupim”, deklaroi Mavraj.
Më tej, Mavraj sqaroi rrethanat që gjendej vendi dhe UP, ku, sipas tij, UP ishte në një gjendje mjaftë të rëndë, sidomos studentët të cilët gravitonin nag viset tjera të Kosovës.
“Konteksti që po flasim tani nuk është thjeshtë vetëm social, jo vetëm UP, ishte shumë më tepër që kishte të bënte me fatin e Kosovës, që ishte tërësisht i anashkaluar nga çfarëdo zgjidhje serioze për fatin e saj, ngase, Kosova, për dallim nga njësitë tjera të ish Federatës jugosllave, nuk bëri asgjë që të merrte vëmendjen ndërkombëtare, që të arrinte zgjidhjen e çështjes në aspektin politik.
Mavraj tutje shpalosi kontekstin politik në rrafshin ndërkombëtar e rajonal. Duke vlerësuar gjendjen në vend përgjatë kohës kur po organizohej "Konferenca e Dejtonit" kur u arrit zgjidhja e çështjes së njësive ish- Federative të Jugosllavisë, që ishin në luftë dhe nga ajo nuk u arrit thuajse asgjë e pritshme për Kosovën.
“Gjendja ishte e rëndë, rinia ikte nga Kosova, vrasjet e njerëzve të pafajshëm, vetëm pse mendonin ndryshe nga regjimi millosheviqian. Kështu prekëm zhgënjimin nga politika e kohës në Kosovë se do të bënte diçka në të mirë të vendit. Me një shtator 1996 doli lajmi bombastik për marrëveshjen për çështjen e arsimit të lartë e të mesëm, por doli që ishte propagandë”, rrëfeu, ndër të tjera, Mavraj për situatën e para 1 Tetorit të 1997-ës.
Sipas tij, ngjarja e Një Tetorit ka qenë proces, që është punuar me përkushtim e me durim.
Për një veprim të tillë kemi pasur mbështetje nga personalitetet e mëdha, siç ishte e prof. Ukshin Hotit, pastaj të Kadaresë, Rexhep Qosjes, etj.
“Data Një Tetori është datë e shtyer, ngase kemi pasur ndëmend ta organizonim në mars, por situata në Shqipëri na e bëri të pamundur të arrihet ajo, prandaj kemi vendosur të bëhet në këtë datë. Mbështetje të fuqishme kemi gëzuar nga rektori Ejup Statovci, por edhe Senati i UP-së, ndonëse ka pasur disa që ishin neglizhentë, por me ndikimin tonë kemi bërë që të jemi unik dhe të jetësohet Një Tetori”, deklaroi Mavraj.
Më tej, Mavraj vlerësoi se Një Tetori ishte një nga organizimet më të mira që është bërë, ku nuk ësahtë bërë fare fjalë për ndjenjën e frikës. Të një vije ishin edhe qendrat tjera studentore gjithandej Kosovës, një organizim unikat, me disiplinë të hekurt.
“Ishim të lumtur se gjërat po lëvizin, se kemi thyer mitin se Serbia është e pathyeshme”, shtoi Mavraj
“Protesta e studentëve iu përgjigj anticivilizimit serb, ku theu mitin e policit serb, duke zgjuar energjitë e fjetura të kombit shqiptrar, duke zgjuar shpresat e njerëzve tanë”, konkludoi Mavraj.
Ndërkaq lidhur me GJS dhe arrerstimet e fundit, Mavraj theksoi se kjo duket si një gjueti shtrigash ndaj luftëtarëve të lirisë, ngase nuk kanë fakte.
“Ne nuk kemi çka të fshehim, ne nuk kemi nevojë për spektakël”, deklaroi Mavraj.RTKLive























