Kelmendi: Diferencat politike s’duhet të paraqesin pengesa në ekonomi
Ramiz Kelmendi, afarist dhe ish zëvendëskryeministër i Kosovës, në emisionin “Imazh”, në RTK, tha se nuk pret shumë nga mbledhjet e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që pritet të mbahet nesër.
Sipas tij, diferencat politike në mes të djathtës e të majtës nuk duhet të jenë ndikuese në marrëveshjet në mes dy vendeve. Kelmendi fton subjektet afariste, prodhuesit e të dy vendeve që të paraqesin problemet me të cilat ballafaqohen ata gjatë qarkullimit të mallrave.
“Nëse e shohim qarkullimin e mallrave brenda dy vendeve nuk mund të jemi të kënaqur me mbledhjet e deritashme të qeverive. Presim që mbledhjet ndër qeveritare ta arrijnë rezultate konkrete. Subjektet afariste duhet paraqesin problemet me të cilat ata ballafaqohen”, tha Kelmendi.
Sipas tij më e nevojshme është të takohen kryeministrat e dy vendeve, me grupe të vogla ekspertësh që do të merrnin vendime konkrete, se sa të mbahen mbledhje të gjëra të dy qeverive të cilat, sipas tij, nuk kanë dhënë rezultate konkrete sepse vendimet e tyre nuk janë konkretizuar as ratifikuar në kuvend.
“Diferencat politike, të djathta e të majta nuk duhet të jenë ndikuese në marrëveshjet në mes dy vendeve, bashkëpunimi duhet të shtrihet në të dy anët”, tha Kelmendi pos tjerash.























