Osmani: Studentët, forca më vitale e shoqërisë
Me rastin e fillimit të vitit të ri Akademik, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit ligjëruese universitare, ka thënë se ky vit akademik është i ndryshëm nga të tjerët, jo vetëm sepse studentët tanë shënojnë një vit tjetër rrite e pjekurie personale e profesionale, por edhe sepse ata po e nisin këtë vit në rrethana të veçanta, nën kushtet e pandemisë Covid-19.
“Prandaj, sfida e tyre dhe e institucioneve në të cilat bëjnë pjesë, është e dyfishtë: të sigurohen se do të investojnë fort në realizimin e synimeve të tyre jetësore, por edhe se do të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e shëndetit të tyre, të kolegëve të tyre dhe të familjeve të Kosovës”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.
Ajo uroi studentët që të gjejnë forcë që t’i përballojnë këto sfida dhe të ndikojnë fuqishëm në transformimin e shoqërisë drejt një shoqërie të dijes.
“Ata janë forca më vitale e shoqërisë dhe mund ta transformojnë atë. Për këtë kanë dhënë shumë prova në histori duke dëshmuar se nuk ka fuqi që mund ta mposhtë shpirtin studentor”, ka shkruar ajo.























