Remitencat e pranuara në Kosovë shënuan vlerën prej 434.9 milionë euro
BQk ka njoftuar se remitencat e pranuara në Kosovë shënuan vlerën prej 434.9 milionë euro deri në qershor 2020, që paraqet rritje për 7.2 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë 2019.
"Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore shënoi vlerën prej 98.3 milionë euro, që paraqet një rritje të lehtë prej 1.7 përqind. Në anën tjetër, bilanci i të ardhurave dytësore arriti në 665.8 milionë euro, që është për 6.9 përqind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019", thuhet në raportin e BQK-së.
"Remitencat që pranohen në Kosovë vazhdojnë të vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, prej nga u dërguan 43.1 përqind përkatësisht 24.3 përqind e gjithsej remitencave në TM2 2020. Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga SHBA-të, gjegjësisht 5.4 përqind e gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë. Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitencat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars dhe prill kur shënuan rënie. Dërgesat e remitencave përmes operatorëve që transferojnë para kanë shënuar rritje për 46.3 përqind deri në qershor", k anjoftuar BQK-ja.























