Haxholli: Asociacioni, pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi
Kosovare Gashi
Kërkesa dhe insistimi i palës serbe që në dialog më Kosovën të diskutohet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve. Kosova po mban qëndrimin e prerë se kjo teme nuk do të diskutohet më. E ky qëndrim nga njohës të rrethanave po vlerësohet si i duhuri.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket se ka marrë rruge tjetër. Pala serbe po kushtëzon që në takimet e radhës të bisedohet për krijimin e asociacionit te komunave me shumice serbe. Ndërkaq për palën kosovare kjo teme konsiderohet e mbyllur. Kryeministri Abdullah Hoti që edhe e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë, ka thënë ditë më parë se delegacioni i Kosovës nuk do të diskutoj më për asociacionin, por ka theksuar se është e gatshme që ta qoj përpara çështjen e dialogut.
“Sa i përket temës se asociacionit ajo nuk hapet sepse është mbyll më marrëveshjen e vitit 2013 e cila më pas është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe me pas është marrëveshja e parimeve e viti 2015 pra si e tillë asociacioni nuk diskutohet më. Ka tema të tjera për të diskutuar. Unë do të kujdesem që procesi i dialogut të shkoj përpara”, ka thënë Hoti.
Ndërkohë njohësit e çështjeve politike e vlerësojnë të drejt qëndrimin e palës kosovare që në dialog të mos diskutohet më për asociacionin. Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Radio Kosovën se çështja e asociacionin po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por e mira për Kosovën është se qëndrimet rreth asociacionit po i përkrah edhe Bashkimi Evropian.
“Pozicioni aktual i Kosovë është i duhuri, pra pozicioni se asociacioni mund të themelohet vetëm në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës, dhe për atë se Serbia duhet të ndërroj qasje sa i përket Kosovës. Kemi parë deklarata edhe të ndryshme si nga ana e Bashkimit Evropian por edhe të zyrtarëve gjerman, të cilët po ashtu po mbajnë qëndrime se asociacioni mund të formohet duke u bazuar në ligjet e Kosovës. Këto janë deklarata shumë pozitive për Kosovën”, tha ajo.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, po ashtu ka thënë se Kosova nuk ka se çka të bisedoj me për asociacionin pasi do të bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“Sigurisht që Kosova duhet të vazhdojë negociatat, por që çdo negociatë lidhur me statutin e asociacionit duhet të reflektoj rekomandimet dhe gjetjet e Gjykates Kushtetuese”, tha Miftaraj.
Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Kosovë Serbi pati paralajmëruar një takim për 28 shtator, i cili është shtyer nga vet Bashkimi Evropian më arsyetimin e gjendjes se pandemisë. Ndërkaq ende nuk është paralajmëruar ndonjë datë e mundshme se kur do të mbahet takimi i radhës.























