Profesori Mustafa: Serbia do të detyrohet t’i paguaj borxhet e Kosovës
Profesori i njohur i ekonomisë dhe ish deputeti, Muhamet Mustafa, në emisionin “Imazh” të RTK-së ka folur për suksesionet midisi Kosovës dhe Serbisë.
Mustafa tha se Serbia kur i ka pushtuar ndërmarrjet e Kosovës pas 5 korrikut të vitit 1990 nuk i ka kthyer borxhet dhe ato borxhe janë rritur për interesa të caktuar.
Ai tha se në bisedimet me Serbinë Kosova do të kërkojë që këto borxhe të paguhen nga Serbia.
“Nëse dëshiron ta ndajë pasurinë atëherë Serbia duhet t’i marrë edhe borxhet. Kosova paraqitet para Serbisë me argumente, me arritjet e shkencës ekonomike që i trajton ato çështje. Kemi bashkëpunëtorë edhe të ministrive në Kosovë që po ndihmojnë në këtë proces sipas rastit”, tha Mustafa, duke shtuar se Serbia do të detyrohet t’i paguaj ato borxhe.
Ai tutje tha se Kosova gjatë pushtimit serb ka pësuar dëme të mëdha duke nisur nga ato të luftës, pagat, pensionet, etj.
“Ne nuk do të heqim dorë nga këto kërkesa dhe këto do diskutohen me Serbinë. Tash mbetet të shihet se sa do të pajtohemi, dhe nëse nuk pajtohemi atëherë është dikush që hyn ndërmjet”, tha Mustafa.
Mustafa ka folur edhe për ligjin për rimëkëbje ekonomike.
“Ky është problem i madh, por edhe i lehtë për t’u zgjedhur. Por këtu tani bëhen shumë akterë politikë që ndërhyjnë dhe pengojnë. Ne e kemi bërë një analizë në Riinvest për rimëkëmbjen ekonomike. Ne kemi folur me biznese dhe i kemi nxjerr problemet që ata përballën. Dhe kemi parë që rënia ka qenë nga 20-50 për qind në shitje. Prandaj bizneset kanë shpresuar shumë që në këta tre muaj të ndodh një infuzion ekonomik”, theksoi ish deputeti.
Mustafa më pas tha se analiza e nxjerrë nga Riinvest është marrë pjesërisht për bazë nga qeveria duke e futur në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Mustafa tha se shpreson që nesër në Kuvend të kalojë projektligji për rimëkëmbje ekonomike, duke shtuar futja e mbi 200 milionë euro në treg do të ndikonte shumë në ekonominë kosovare. /RTKLive/























