PDK kërkon votën për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të luftës
Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar sërish deputetët që të votojnë projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
Po ashtu, ata kanë kërkuar nga ta që të mos bëhen frikacakë, meqë sipas tyre është obligim moral për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Në seancë plenare, propozuesi i këtij projektligji nga PDK, Gazmend Bytyqi, ka kërkuar votën e deputetëve që të kalojë ky projektligj, dhe pastaj të ulen e të bëjnë përmirësimet e nevojshme.
“Jam i detyruar që të ju them që ky ligj nuk e meriton një trajtim të tillë. Nuk e meriton sepse po flasim për një ligj që për bazë ka vlerësimin dhe kontributin, apo vlerën e përgjithshme të luftës së UÇK-së. Nëse dikush si deputetë apo grupe parlamentare po mendon se me këtë formë të mos votimit apo injorimit PDK tërhiqet nga ky projektligj, apo unë si deputet, atëherë po ju them që e keni gabim, sepse kjo nuk do të ndodhë. Këtë projektligj do ta kemi këtu para vetës, deri sa të marrim vendimin meritor që duhet të jetë”, ka theksuar ai.
Bytyqi tha se po thuhen shumë të pavërteta për qëllimin e hartimit të këtij projektligji, meqë siç tha ai po tentohet dezinformimi. Ai tha se me këtë projektligj synojnë të pasqyrojnë se kush ishte në të vërtetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Gjithashtu me këtë ligj nuk përfiton askush as financiarisht. Dhe asgjë tjetër, por vetëm ligjësohen vlerat e luftës. Prandaj me keqardhje ju them, mos u bëni frikacakë, por votoni këtë projektligj. Sepse e kemi obligim moral për historinë tonë, gjeneratat e reja, si dhe për vet shtetin e Kosovës. Nëse mendoni që ndonjë pjesë e luftës ishte incident, atëherë votoni kundër. Siç po e paraqet një historian i joni dhe votoi kundër këtij ligji. Nëse mendoni që Kosova është çliruar me 6 tetor me një palë zgjedhje, votoni kundër. Por po ju them me bindje të plotë, që e keni shumë gabim ”, ka shtuar ai.























