Vokrri: Jam i bindur se lojtarët tanë do ta lënë shpirtin në fushë
BKT
Sport

Vokrri: Jam i bindur se lojtarët tanë do ta lënë shpirtin në fushë

Sot sytë e të gjithë shqiptarëve janë drejtuar në Shkup, aty ku në orën 20:45, Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndeshjen gjysmëfinale për kualifikim në Evropian kundër Maqedonisë së Veriut. Emocionet e këtij dueli pa dyshim e kanë kapluar edhe djalin e legjendës, Fadil Vokrri, Gramozin.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK1, ai ka folur për atë se si është duke e pritur ndeshjen e sotme.

“Ka qenë temë diskutimi në familjen tonë kohë të gjatë se si mund të arrijmë deri te kjo ditë, por nuk e kemi pritur asnjëherë që do të vjen kaq shpejt, prandaj edhe emocioni është më i madh, përkundër vështirësive të cilat i kemi për shkak të mungesave të disa lojtarëve, mirëpo prapë po shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka thënë Gramoz Vokrri. Ai e di që nuk do të jetë një sfidë e lehtë për Dardanët kjo e sotmja, sidomos për shkak të mungesave të shumta, por ka besim te lojtarët që do të zbresin në fushë.

“Për shkaqe të ndryshme mungojnë 7 lojtarë, disa për lëndime disa për shkak të rrethanave me pandeminë, por nuk e kam asnjë dyshim se ata lojtarë që do të jenë në fushë do të japin gjithçka nga vetja dhe do ta lënë edhe shpirtin. A mund të ndikojë presioni? Presionin më shumë e bëjmë ne që jemi jashtë se sa lojtarët që janë brenda ekipit, sepse ata janë lojtarë profesionistë dhe janë mësuar me këtë lloj presioni ku shumica luajnë në ekipe të mëdha dhe pa dyshim se do të dinë ta menaxhojnë. Më shumë është presion popullor në këtë rast, sepse si popull e kemi pritur këtë ditë që një kohë të gjatë”, ka nënvizuar Vokrri.

Sa i përket faktit që edhe në ekipin e Maqedonisë së Veriut do të paraqiten 6 lojtarë shqiptarë, Gramozi mendon se objektivi për të arritur në Evropian nuk lejon që të veprohet me emocione.

“Sot nuk kisha pasur dëshirë të jem në vendin e tyre sepse është ndjenjë shumë e veçantë të jesh shqiptar dhe të luash kundër Kosovës, por me objektivin me arrit në një eveniment të madh siç është Evropiani, atëherë sigurisht se kur hyjnë në fushë harrohen këto konsiderata dhe ata luajnë për fitore ashtu sikurse ne”, është shprehur djali i legjendës.

Ai nuk ka dëshiruar të japë ndonjë parashikim të rezultatit të ndeshjes, por shpreson në fitore, derisa thotë se mungesa e tifozëve Dardanët e bënë të veten. “Unë isha pajtuar me një fitore minimale, 1:0. Mjafton vetëm të fitojmë. Nuk ka rëndësi a do të luajmë mirë apo jo, sot me rëndësi është vetëm të fitojmë. Mungesa e Dardanëve? Ne jemi mësuar me ata. Janë bërë si lojtar i 12-të i yni. Asnjë skuadër tjetër nuk i ka tifozët siç i kemi ne dhe po vërehet mungesa e tyre sidomos në ndeshjet e fundit, por sot këto rrethana janë dytësore dhe çdo lojtar është i fokusuar në fitore. Sot të gjithë do të kishim dëshirë të jemi në stadium dhe ta ndjejmë atmosferën, por rrethanat nuk po na lejojnë, prandaj të fokusohemi në fushë”, ka thënë Gramoz Vokrri.

Sa i përket asaj që është djali i legjendës Fadil Vokrri, i cili është më i merituari që sot jemi afër realizimit të ëndrrës, Gramozi u shpreh: “Është një krenari e veçantë, por sot nuk dalloj prej kosovarëve tjerë. Sot jemi të gjithë së bashku. Shpesh e kam thënë se e gjithë Kosova janë djemtë e Vokrrit, jo vetëm unë apo familja ime sepse kjo është një ëndërr e vjetër. Ka shumë gjenerata që kanë kontribuuar për këtë ditë edhe pse babai ka qenë si prijësi i këtij procesi, por asnjëherë nuk mund të identifikohet vetëm ai, ngase futbolli është sport kolektiv dhe sot të gjithë jemi djemtë e Vokrrit, duke filluar prej lojtarëve e deri te shikuesit”. Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë fillon në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1.