14:27 / 10.10.2020
Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë në fillim të muajit nëntor
Vaide Morina, Radio Kosova
Vonesat për sigurimin e vaksinave kundër gripit sezonal, mund të shkaktojnë probleme jo vetëm te grupet e rrezikuara por edhe për personelin shëndetësor, thonë ekspertët mjekësorë. Ministrit i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se vaksinat do të arrijnë në fillim të muajit nëntor, e jo në tetor ashtu siç kishte premtuar ditë më parë.
Mungesa e vaksinave kundër gripit sezonal në këtë kohë pandemie, është duke i brengosur jo vetëm qytetarët e vendit por edhe stafin mjekësor. Kështu ka thënë për Radio Kosovën Sami Uka, kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
"Kjo është sfida më e madhe që do të na duhet me u përball këta muaj derisa t’i marrim ato vaksina.
Në fillim të këtij muaji, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte premtuar se vaksinat kundër kripit sezonal do të shpërndahen në javën e dytë të tetorit.
"Javën tjetër fillojmë më shpërndarjen e 160 mijë vaksinave të siguruara, dhe jemi në proces të sigurimit edhe të 340 mijë vaksinave kundër gripit sezonal.
Por premtimi nuk u përmbush. Gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për shëndetësi, ai i tha se vaksinat pritet të arrijnë në fillim të muajit nëntor.
"Jemi një muaj përpara nga viti i kaluar prej 120 mijë vaksinave që i përmban e ajo shpërndarje do të kalojë në nivel vendi gjatë muajit nëntor".
Edita Haxhiu, epidemiologe, shpjegoi për Radio Kosovën se cilat kategori të qytetarëve duhet të kenë prioritet për vaksinim.
"Personat e moshës mbi 65 vjet, ata që kanë sëmundje kronike nga 6 muaji deri në 65 vjet, punëtorët shëndetësorë, shtatzënat, lehonat, pastaj edhe institucionet që kanë një shërbim me rendësi siç janë: policia, ushtria, punëtorët që punojnë në shtëpinë e pleqve etj.
Sami Uka, kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha për Radio Kosovën se vonesat janë të dëmshme, sidomos në këtë kohë pandemie.
"Problem më i madh tash ka me qenë ngatërrimi i simptomave të gripit sezonal me Covidi-19. Tash do të jetë sfidë e vërtetë për të gjithë punëtorët shëndetësorë që të diferencojnë saktë kur bëhet fjalë për gripin sezonal e kur Covid-in.
Të gjitha grupet e rrezikuara, mbetet të presin muajin nëntor për të marrë vaksinën kundër gripit sezonal.























