Tri minikoncerte në harmoni me shpresën dhe rilindjen e skenës muzikore
BKT
Kulturë

Tri minikoncerte në harmoni me shpresën dhe rilindjen e skenës muzikore

Pasi që u është matur temperatura, mysafirët e “DAM”-it janë ulur në karriget e shpërndara nëpër hapësirën e teatrit “ODA”. Pas çdo 30 minutave salla është zbrazur dhe nëpër të njëjtën procedurë kanë kaluar mysafirët e radhës.

Kështu ka ndodhur tri herë të dielën pasi që në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “DAM”, janë mbajtur tri minikoncerte. Ebru Jilta në vokal e kitarë solli këngë nga vende të ndryshme e të largëta në gjuhën turke dhe këngë të vjetra në gjuhën shqipe. Pas saj kitaristja Tringa Sadiku e dërgoi publikun në një udhëtim muzikor që nisi me periudhën e Barokut e përfundoi me vepra moderne.

Një udhëtim nëpër epoka të ndryshme solli edhe treshja që erdhi më pas: sopranoja Kaltrina Miftari, kontratenori Safet Berisha dhe Melos Buza në harpiskord. Por programi i tyre kishte edhe një mision. Përmes muzikës ata theksuan shpresën për rikthim në normalitet apo “rilindjen e skenës muzikore”.

Ebru Jilta ka përfunduar studimet për shkenca politike. Nga ana profesionale qëndron larg muzikës. Mirëpo dashuria për të e bën që shpeshherë të marrë kitarën dhe t’ia thotë këngës. Ani pse nuk ka një shkollim adekuat në këtë fushë nëse nuk llogaritet shkolla e mesme, lehtësisht mund të thuhet se ajo është autodidakte. Sidoqoftë, me qetësi të ëmbël këndon në gjuhën turke dhe shqipe. Të dyja i vijnë natyrshëm pasi që me prejardhje është nga Turqia, por është lindur dhe e rritur në Kosovë.


MË SHUME NGA Kulturë