Latifi thotë se ka ardhur koha të rimodelohet modeli multietnik i Kosovës
BKT
Lajme

Latifi thotë se ka ardhur koha të rimodelohet modeli multietnik i Kosovës

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se pakicat po i shantazhojnë qeveritë e Kosovës. Ai thotë se nuk ka shtet në botë që i jep më shumë të drejta pakicave, por kjo po sipas tij po keqpërdoret.

“Nuk ka shtet në botë që u njeh më shumë të drejta politike pakicave se shteti i Kosovës. Por kjo nuk ka rezultuar me rritjen e lojalitetit të tyre ndaj këtij shteti. Përkundrazi, ato kanë filluar t’i përdorin këto të drejta për të kërcënuar e shantazhuar qeveritë e Kosovës. Së fundi Lista Serbe kërcënoi se do dalë nga qeveria nëse nuk bëhet Asociacioni i komunave serbe, sipas preferencave të Beogradit”, thotë ai.

“Javë më parë partia turke kërcënoi se do dalë nga qeveria nëse nuk hiqet dorë nga vendimi për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, sepse kështu po e kërkon Erdogani. Në këtë mënyrë, këto dy parti, nga përfaqësuese të qytetarëve të pakicave të tyre etnike, janë shndërruar në përfaqësuese të Beogradit dhe Ankarasë në Kuvendin e Kosovës. Kanë mbetur edhe boshnjakët, romët, ashkalitë dhe egjiptasit që ta gjejnë nga një shtet që ta përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës dhe kështu ky kuvend të përçudnohet në një asamble të shteteve të Ballkanit. Definitivisht ka ardhur koha të rimendohet modeli multietnik i Kosovës. Sepse nuk po funksionon”, shton Latifi.


MË SHUME NGA Lajme