Eskalon debati në RTK, deputeti i LDK-së dhe ai i VV-së përplasen keq
Në vazhdim të emisionit “Debat” në RTK-së është rritur tensioni i diskutimeve ndërmjet deputetit të LDK-së, Faton Bislimi dhe atij të VV-së, Arbër Rexhaj.
Bislimi e ka mbrojtur faktin se Asociacioni do të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. “Shteti duhet të ketë vazhdimësi, jo marrëveshjet ndërkombëtare të mos zbatohen nëse ndërrohet kryeministri apo presidenti. Kjo është e papranueshme”, ka thënë Bislimi.
Në anën tjetër, Rexhaj tha se “Zajdenica” është bonjëzim i Kosovës dhe se kryeministri Hoti nuk ka asnjë të drejt morale e as legjitime që ta themelojë atë.
“Një kryeministër me 16-17 mijë vota s’duhet ta bëjë një gjë të tillë, s’ka mandate. Atij as partia e vet nuk i beson”, tha Rexhaj.
Ai më pas përmendi edhe marrëveshjen e Uashingtonit, duke thënë se aty është nënshkruar ndarja e Ujmanit. Kjo deklaratë ka bërë që të reagojë Bislimi i cili tha se nëse në marrëveshje e gjen fjalën ndarje, ai sot largohet nga politika.
“Ju a jeni për t’i mbrojtur interesat e Serbisë apo për ta mbrojtur Kosovën”, i ka bërë pyetje Bislimi, Rexhajt.
Edhe në vazhdim të debatit, Bislimi dhe Rexhaj janë përplasur për Ujmanin, duke e kundërshtuar njëri-tjetrin se kujt i takon Ujmani. Bislimi thoshte se Rexhaj s’po i njeh ligjet ndërkombëtare, pasi që një pjesë e Ujmanit është në Sebri. Në anën tjetër, Rexhaj përmendi deklaratën e Kurtit se Ujmani është tokë, duke shtuar se Kurti këtu e ka pasur për zonat kadastrale para se toka të mbushej me ujë, meqë Ujmani është liqen artificial.
Debati ka pasur edhe përplasje tjera ndërmjet këtyre dy deputetëve edhe në pjesën e moratoriumit për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Rexhaj tha se kjo është shkleje e sovranitetit, kurse Bislimi e thoshte të kundërtën. /RTKLive/























