Rexhaj: Po ta dinin PDK e LDK që nesër ka zgjedhje, tri ditë s`i merr gjumi
BKT
Lajme

Rexhaj: Po ta dinin PDK e LDK që nesër ka zgjedhje, tri ditë s`i merr gjumi

Në vazhdim të emisionit “Debat” në RTK ka pasur përplasje tjera ndërmjet mysafirëve: Faton Bislimit, deputetit të LDK-së, Arbër Rexhajt të VV-së dhe Time Kadrijajt të AAK-së.

Në një moment kur deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj ka folur për korrupsionin e partive që kanë qenë në pushtet, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ia ka përmendur atij dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Shëndetësisë kur ministër ishte anëtari i VV-së, Arben Vitija.

“Për një tremujoresh, me i marrë tenderat, me i fry tenderat, paramendojeni me e pas çu deri në fund mandatin VV-ja. Dhe nëse ka një parti që i ka ndryshuar më shumë parimet, atëherë jeni ju të VV-së. Sapo keni hyrë në pushtet i keni ndërruar ato, duke nisur nga flamuri e të tjerat me radhë”, tha Kadrijaj.

Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Faton Bislimi e ka quajtur nacionalizëm bosh atë që bën VV-ja me flamurin kuqezi.

“S’ka deputet shqiptar që nuk e ka në shpirt flamurin kuqezi, por ju këtë nacionalizëm e keni bosh. Nuk e keni vetëm ju simbolike atë punë, e kemi të gjithë, pse po e merrni ju për vete”, tha Bislimi.

Duke folur për zgjedhjet e parakoheshme, Rexhaj tha se është një bllokadë që e bën AAK-ja sa i përket presidentit. Sipas tij, të gjitha rrugët çojnë drejt zgjedhjeve.

“Ankthi më i madh i të gjithë këtyre, PDK, LDK, AAK, është që të futemi në zgjedhje. Dhe kjo për disa arsye, e para e dinë që elektorati i tyre do t’i ndërshkojë keq dhe e dyta që Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë bindshëm. Këta po ta dinin që nesër ka zgjedhje, nuk i zë gjumi tri ditë, jam shumë i bindur dhe kjo është e tmerrshme”, ka thënë në fund Rexhaj. /RTKLive/


MË SHUME NGA Lajme