Ballkani e kalon me sukses edhe sfidën me Arbërinë
Ballkani ka realizuar fitoren e pestë në këtë edicion në Superligë, teksa sot në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq ka fituar si mysafir ndaj Arbërisë, me rezultat 4:2.
Skuadra kryesuese në renditjen e Superligës, deri te kjo fitore arriti me mjaft vështirësi. Në fakt, të parët në epërsi kaluan futbollistët e Arbërisë, me golin e shënuar nga Sunaj Hasan, në minutën e 35-të. Me epërsinë e një goli skuadra e Arbnor Morinës shkoi në pushim. Në minutën e 54-t Mirlind Daku e barazoi rezultatin, por vetëm 10 minuta më vonë Arbëria shënoi sërish nëpërmjet Almir Kryeziut. Megjithatë, minutat e fundit të takimit i takuan skuadrës mysafire, të cilët arritën të përmbysin gjithçka me golat e shënuar nga Armend Thaçi (72’), Mirlind Daku (83’-pen) dhe Ermal Krasniqi (90’+5’).























