Rugovës i ndalohet të afrohet tek dëshmitari deri në 100 metra
Rugovës i ndalohet të afrohet tek dëshmitari në rastin e tij deri në 100 metra
Gjykata e Apelit ka marrë vendim lidhur me ankesën e kryetarit të Istogut Haki Rugova dhe nënkryetarit Lulzim Blakaj.
Apeli njofton se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, i datës 10 tetor 2020, është ndryshuar.
Të pandehurve u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit, apo personit të caktuar.
“Konkretisht atyre u është ndaluar që t’i afrohen një dëshmitari, në distancë më të afërt se 100 metra, e po ashtu iu është ndalur çdo komunikim më të, në kohëzgjatje prej një muaji. Më këtë aktvendim të pandehurve u bëhet me dije se në rast se e shkelin këtë masë, gjykata mund të urdhëroj paraburgimin. Gjykata e Apelit vlerësoj se edhe më këtë masë mund të arrihet qëllimi për të cilin është caktuar masa e arrestit shtëpiak, prandaj edhe vendosi konform dispozitave te nenit 177 par. 1, nën par.1.2 dhe 1.3 të Kodit të Procedurës Penale”, njofton Gjykata e Apelit përcjell Klan Kosova.
“Gjykata konsideron se nisur nga pesha e veprave penale, mënyra, rrethanat dhe koha në të cilën dyshohen të jenë kryer ato, masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, është masë e mjaftueshme, për të zvogëluar rrezikun që të pandehurit të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale”.
Haki Rugova dyshohet se ka kryer vepren “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
“H.R. po dyshohet nga ana e prokurorisë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Konflikt i interesit” , “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” . Ndërsa L.B. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar.” Të gjitha këto të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.























