Isa Mustafa flet për mundësinë e hyrjes së PDK-së në Qeveri

Isa Mustafa flet për mundësinë e hyrjes së PDK-së në Qeveri

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në “Debat” të RTK-së ka folur edhe për mundësinë e hyrjes së PDK-së në koalicionin qeverisës.

“Ju kam thënë anëtarëve të Kryesisë që unë kam deklaruar kështu sepse ne po futemi në një fazë të rëndë dhe se vendit i duhet një bashkëpunim më i gjerë. Jemi në pandemi dhe e kemi parë se është dashur shtatë herë të futet në votim Ligji për Rimëkëmbje. E kemi problemin edhe me dialogun me Serbinë”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, me Serbinë nuk mund të arrihet marrëveshje nëse nuk e kanë një shumicë që e voton në Kuvend atë marrëveshje.

“Për këtë probleme ne duhet të jemi bashkë, sepse dialogun s’mund ta përfundojmë me 61 ose 64 deputetë. S’mund të kemi marrëveshje me Serbinë nëse kundër janë VV-ja dhe PDK-ja. Jemi në situatë kur jemi afër që të mendohet për zgjedhjen e presidentit dhe atëherë duhet të ulemi dhe të bisedojmë”, ka thënë Mustafa.

Ai tutje ka thënë se do të tentojë të takohet me zyrtarët e lartë të PDK-së që të dikutojë mundësinë e arritjes së marrëveshje me Serbinë.

“Do të mundohem të kemi takime me ta për këtë çështje se si të procedohet kjo, në mënyrë që të kemi një singergji të përbashkët dhe të kemi shumicë të mjaftueshme që të kalohet kjo marrëveshje në Kuvend”, ka thënë Mustafa. /RTKLive/