Mustafa i quan mësymje kundër Hotit, interpelancat e thirrura nga LVV-ja

Mustafa i quan mësymje kundër Hotit, interpelancat e thirrura nga LVV-ja

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar pak para seancës së Kuvendit, ku kryeministri Avdullah Hoti pritet të raportojë në tri interpelanca.

Ai ka thënë se Hotit iu janë bërë tri mësymje kundër sot kur është ftuar në tri interpelanca njëpasnjë në Kuvend.

“Sot, tri interpelanca njëpasnjë në Kuvendin e Kosovës. Tri mësymje kundër Kryeministrit Hoti. Dy, kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit me SHBA-të dhe një, pse është shprehur se duhet të zbatohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për respektimin e Ligjit të miratuar me 2/3 e deputetëve, i cili ka krijuar detyrime ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin.

“Ata që ndajnë bindjen se Kosova duhet tu përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti”, ka shtuar ai.