Nagavci-Hotit: Ke hequr dorë nga subjektiviteti shtetëror
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Hoti për miratimin e qarkores për t’i tërhequr të gjitha aplikimet në organizata ndërkombëtare. E dyta e legjislativit në seancën e sotme plenare tha se qeveria ka hequr dorë nga subjektiviteti shtetëror.
Ajo në interpelancën parlamentare ku Hoti po raporton për këtë çështje tha se dëmet e këtij vendimi do të shkojnë përtej një viti, sa është marrëveshja e arritur në Uashington.
“Pesha dhe dëmi i këtyre kushteve shkon përtej tyre. Edhe reciprociteti dhe pezullimi i kërkimit të njohjeve apo anëtarësimit të organizatave ndërkombëtare kanë një emërues të përbashkët, e ai është heqja dorë nga subjektiviteti shtetëror. Në këto dy këto raste Serbia përfiton dyfish ndërsa Kosova humb shumëfish. Përmes heqjes së reciprocitetit Serbia fitoi tregun, edhe zmbrapsen e Kosovës nga shtetësia e saj. Me pezullimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Serbia e përmbushi fushatën e saj të kushtueshme kundër njohjeve dhe për çnjohjes së shtetësisë së Kosovës”, tha ajo.
Ajo duke iu drejtuar shefit të qeverisë tha se, s’ka asnjë shtet që ia bënë qejfin një shteti tjetër duke hequr dorë nga anëtarësimi në organizata multilaterale ndërkombëtare.
“S’ka asnjë shtet që i thotë vetës shtet, për t’i bërë qejfin një shteti tjetër dhe pezullon me shkrim heqjen dorë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. A keni pa ndonjë rast të ngjashëm zotëri Hoti”, tha ajo.
Nagavci tha se pas këtij vendimi Kosova nuk do të jetë e njëjta pasi dëmet diplomatike do të jenë të mëdha.























