Edhe Kosova kërkon respektimin e të drejtave të njeriut në Bjellorusi
Republika e Kosovës i është bashkuar thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-së, BE-së dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut drejtuar autoriteteve bjelloruse për t`i dhënë fund dhunës dhe shtypjes, për t`i liruar të gjithë të arrestuarit dhe të burgosurit politikë, për ta respektuar lirinë e medias dhe shoqërinë civile dhe për të filluar një dialog gjithëpërfshirës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Me këtë rast, ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se Kosova qëndron përkrah SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në mbështetjen e qëllimeve paqësore dhe demokratike të popullit bjellorus.
“Ne kërkojmë nga Qeveria e Lukashenkos që t'i lirojë të gjithë personat e ndaluar padrejtësisht, t'i japë fund bllokadës në internet në të gjithë vendin, të zhvillojë bisedime me anëtarët e opozitës politike dhe të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme që duhet të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë”, tha Haradinaj-Stublla.
Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të një votimi që Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet u vodhën.
Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u shuan as pas dy muaj e gjysmë.
Lukashenko, 66-vjeç, një aleat i liderit rus Vladimir Putin, ka drejtuar Bjellorusinë me një dorë të vendosur që nga korriku 1994.























