Dështojnë përpjekjet e VV-së dhe LDK-së për çështjen e Drejtorit të RTK-së
BKT
Lajme

Dështojnë përpjekjet e VV-së dhe LDK-së për çështjen e Drejtorit të RTK-së

Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota, e ka quajtur presion ndaj mediumit publik diskutimin e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, 18 muaj pas përfundimit të këtij procesi.

Kreu i Bordit të transmetuesit publik tha kjo po bëhet pikërisht në kohën kur RTK është në proces të zgjedhjes së trupave të tjerë menaxhues të televizionit.

Bashota, para Komisionit për Media të Kuvendit e ka quajtur skandaloz këtë diskutim nga ana e komisionit, kur sipas tij, ka një lëndë në Gjykatë për këtë çështje.

Ai tha se për këtë mbledhje u ftuan të martën pas orës 15:00 përmes një ftese emergjente e pa agjendë.

Deputetët nga Vetëvendosje dhe LDK thanë se me zgjedhjen e drejtorit është shkelur ligji i RTK-së. Por, kryetari i Komisionit parlamentar për media, Mërgim Lushtaku, tha se nëse është dikush që ka dashur ta bëjë të varur RTK-në, ka qenë Qeveria Kurti.

Valon Ramadani, nënkryetar i Komisionit, nga radhët e LVV tha se Bordi i asaj kohe ka bërë shkelje të ligjit, dhe se rrjedhimisht drejtori është zgjedhur jashtëligjshëm". Ndërsa edhe Ardian Shala, anëtar i Komisionit nga LDK-ja tha se është bërë shkelje ligjore kur është zgjedhur drejtori para 18 muajsh.

Këto akuza i kontestoi Kryetari i Komisionit Mërgim Lushtaku, duke thënë se çështja në fjalë ka interpretim ligjor dhe se rasti është në Gjykatë, andaj nuk është punë e Kuvendit që ta trajtojë atë.

Rasim Selmanaj, Anëtar i Komisionit nga radhët e AAK-së tha se deputetët nuk duhet të vlerësojnë ligjshmërinë e asnjë vendimi, madje as Kuvendi nuk është kompetent për një gjë të tillë.

Mirlinda Sopi Krasniqi nga radhët e AKR-Nisma ishte kundër asaj që komisioni të trajtojë këtë çështje dhe as të marrë pjesë në votim pasi që sipas saj nuk ka asnjë argument që zgjedhja e drejtorit ka qenë e jashtëligjshme. Ajo madje e përmendi një fakt që i kishte dëgjuar deputetët para se të hyjnë në sallë se janë për ta prishur një proces të zgjedhjes së drejtorëve tjerë, andaj tha se nuk hyn në interesa të partive të caktuara.

Igor Simiq, anëtar i Komisionit nga lista serbe ishte kundër që kjo çështje të procedohet në kryesi, pasi sipas tij anëtarët janë vetë Kuvendi, por se propozoi që kjo çështje të shkoj në zyrën ligjore të Kuvendit. Sipas tij në ligj, te pika 3 mungon fjalia “ e anëtarëve të zgjedhur” e për këtë arsye mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe pretendimet e VV-së dhe LDK-së i quajti interpretim politik.

Albert Kinolli në cilësinë e nënkryetarit nga radhët e PRBK, kundërshtoi pretendimin e deputetit Ramadani, duke thënë se nuk ka bazë e as dëshmi dhe potencoi se lënda është në gjykatë, ku duhet të zgjidhet.

Gjatë mbledhjes anëtarja e bordit Marijana Simiq tha se nuk është drejtë  që të drejtohet gishti tek anëtarët e bordit pasi që sipas saj, faji është te deputetët që nuk i kanë zgjedhur anëtarët e bordit. Simiq madje u ankua edhe për trajtimin e anëtarëve të bordit në Kuvend duke thënë se ata nuk janë rrugaçë, por njerëz të shkolluar dhe të zgjedhur. Sipas Simiq, nëse është bërë shkelje në proces, atë e konstaton gjyqi.

Edhe anëtari tjetër i bordit Lirim Geci tha se procesverbali i zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm është nënshkruar nga 7 anëtarët e pranishëm.

Në fund, Komisioni nuk arriti votat e mjaftueshme për të proceduar propozimin e Vetëvendosjes dhe LDK-së të cilët kërkuan që kjo çështje të procedohej në Kryesinë e Kuvendit meqë ishin vetëm 5 vota të deputetëve nga Vetëvendosje e LDK.

Kujtojmë që ky Komision ka ftuar për raportim disa herë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, Ndadhnjim Kastratin. Për zgjedhjen e tij 18 muaj më parë kanë uruar edhe institucione prestigjioze ndërkombëtare dhe vendore.


MË SHUME NGA Lajme