07:59 / 29.10.2020
Rritet vetëdijesimi për personat me Sindromën Doun
Pajtim Çuni, Radio Kosova
Në muajin e ndërgjegjësimit për Sindromën Doun, drejtues të Shoqatës “Dovn Syndrom Kosova” në Ferizaj, pohojnë se po rritet vetëdijesimi për personat me këtë sindromë, të cilët duhet të trajtohen më mirë sepse mund të japin kontribut në shoqëri. Nga kjo organizatë porosisin që ndërmarrësit dhe institucionet publike t’u ofrojnë më shumë mundësi punësimi personave me këtë sindromë.
Cdo javë, nga e hëna në të premten, ditët e Eloida Aliut janë përplot aktivitete. Vajza nga Ferizaj, e prekur nga Sindroma Dovn, ditët i fillon në Shoqatën “Dovn Syndrom Kosova”, dega në Ferizaj, ku zhvillon aktiviteteve të ndryshme me kolegë dhe shpesh edhe luanë në piano.
Pas aktiviteteve në shoqatë, Ela, edhe ditën kur Radio Kosva vizitoi atë, u nis drejt Ordinancës “BriliantDent”, ku prej dy vitësh është e punësuar si asistente stomatologu. Ajo thotë se puna që bën e bën shumë të lumtur.
"Unë punoj këtu, kënaqem shumë. Edhe doktori është shumë i lumtur e më pas edhe unë kënaqem shumë - shumë”, tha ajo.
I kënaqur me punën e Elës është edhe punëdhënësi i saj, stomatologu Burim Buzhala, i cili fton të tjerët që t’u japin më shumë mundësi personave me Doun Sindromë.
" jam shumë krenar me Elën. Prej momentit që është punësuar, ajo ka bërë një progres të madh dhe kjo është një dëshmi e gjallë që na argumenton se edhe personat me aftësi të kufizuara dinë, munden dhe ia dalin. Mesazhi im për të gjithë që kanë mundësi është që, t’u japin më shumë mundësi këtyre personave.
Yllka Mani, drejtuese e “Dovn Sindrom Kosova” në Ferizaj, thotë se përveç Eloida Aliut, në këtë qytet janë edhe dy persona të angazhuar me punë në sektorin privat. Mani, uron që ky numër të rritet.
“Për cdo ditë e më shumë njerëzit po vetëdijësohen. Andaj, po uroj që shpejt të ketë edhe biznese të tjera të interesuara që marrin ndonjë të rritur me Doën Sindromë dhe të punësojnë. Normalisht që me trajnime të ndryshme i përkatisim për tregun e punës”, tha ajo.
Mani shprehet e zhgënjyer paksa me përkrahjen institucionale për personat me Doun Sindromë, e sidomos për punësimin e tyre në sektorin publik. Deri tash, në gjithë vendin, Aldi Hoxha është i vetmi i punësuar në sektorin publik dhe punon në Ndërmarrjen “Trafiku Urban”.























