Deputeti Lushtaku paditë një media për shpifje dhe fyerje
BKT
Lajme

Deputeti Lushtaku paditë një media për shpifje dhe fyerje

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka njoftur se sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicë, dega në Skënderaj, ka dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje ndaj një mediumi kosovar.

“Përfaqësuesi im i autorizuar, avokati Valdrin Behrami, ka dorëzuar Padi për Shpifje dhe Fyerje ndaj Gazetës Online Insajderi.org. Përkundër bisedës time telefonike me gazetaren Drenusha Canolli, të cilën e pata siguruar 100% që nuk kam të bëj asgjë me krimin e ndodhur në Thesarin e shtetit, kjo gazetë qëllimshëm bëri shpifje të rëndë për të denigruar personalitetin dhe angazhimin tim politik, ku në dy palë zgjedhjet e fundit kam qenë njëri ndër deputetët më të votuar në vend”, ka shkruar Lushtaku.

Sipas tij, shënimi i mëvonshëm i redaksisë se “është përvjedhur një GABIM, përfitues nga paratë e thesarit është Burim Bujupi, asambleist dhe kryetar i klubit të Drenasit, dhe jo ortaku i Mërgim Lushtakut” nuk e sheh si gabim.

“Mirëpo kjo është bërë qëllimisht me motive të ndryshme nga kjo gazetë. Për më tepër bindja se është bërë qëllimisht është forcuar edhe më shumë pasi ata po vazhdojnë ende me shpifjen e njejtë, përkundër që ata njëherë veçse e kanë demantuar vetën. Asnjë lloj shpifje as në të kaluaren, as në të tashmen, e as në të ardhmen nga njerëz të ulët dhe të paguar nga grupe kriminale, nuk kanë mundur dhe as që do të mund të ma dëmtojnë reputacionin e lartë në shoqëri!”, ka shkruar në fund deputeti Lushtaku.


MË SHUME NGA Lajme