Sfidat e të verbërve në Kosovë, me tri fakultete por pa punë

Sfidat e të verbërve në Kosovë, me tri fakultete por pa punë

Me diktafon, për vite me radhë, i incizonte ligjëratat e profesorëve. Pas kësaj, me pajisje teknologjike i dëgjonte dhe përgatitej për provime.

Kështu Betim Bregovina nga Prishtina, edhe pse i verbër, arriti të merrte tri diploma universitare. Përfundoi me sukses studimet bachelor e master në psikologji, dhe gjithashtu bachelorin në pedagogji. "Unë e kam përdorë diktafonin, të gjitha ligjëratat i kam incizur, dhe pastaj i kam dëgju. Ka pas raste kur kolegët kanë lexuar për mu, mi kanë incizuar ligjëratat, në disa lënë më të ndërlikume", nis rrëfimin Betimi për RTK. Por, jo vetëm diploma. Sfidat nuk e ndalën Betimin, të botojë edhe 7 libra të ndryshëm.

“Nuk kam ndoshta aftësi të theksume si shkrimtar, por më herët kam botuar më shpesh”, tregon ai. Tri diploma, 7 libra të botuar e certifikata nga trajnime të shumta. Por Betimi është i papunë, pavarësisht se ka aplikuar dhjetëra herë.

"Kam apliku për psikolgë shkolle e burgu, kryesisht në këtë aspekt. Nuk kërkojmë që punëdhënësi me ardh me na pru te shtëpia me veturë, ne kërkojmë vetëm që për këto përgatitje profesionale me shku edhe mu provu, me tregu cka dijmë", thotë Begim Bregovina. Si Betimi të papunë, janë edhe mijëra të verbër në Kosovë. Nga 2 mijë e 500 të verbër, vetëm 35 janë të punësuar. Për këtë shkak, në Shoqatën e Personave të Verbër, kanë kritika ndaj institucioneve. “Po shpresojmë që nga viti i ardhshëm të zbatohet Ligji për Punësim e Aftësim të personave me aftësi të kufizuar, sipas të cilit në 50 punëtor një duhet të jetë me aftësi të kufizuara”, tregon Daut Dishuku, kryetar i Shoqatës për televizionin publik.

Nga kabineti i ministrit të Punës dhe Mirëeqnies Sociale, thonë se po punojnë që ta përmirësojnë gjendjen e kësaj kategorie.

"Synojmë të kemi një linjë të vecantë të rekrutimit, në mënyrë që këta në momentin e rekrutimit të mos futen në garë me aplikantët e tjerë sipas ligjit për shërbimin civil të Kosovës", shprehet Valmir Gashi nga MPMS. Papunësia nuk e ka ndalur Betimin. Ai brenda pak muajsh, synon ta marrë diplomën e katërt, duke përfunduar masterin në pedagogji.

Autor: Besian Beha RTK