13:33 / 30.10.2020
Edhe 5,678 biznese po presin t`i marrin mjetet e ndara nga qeveria
Janë edhe 5,678 biznese pa llogari ose me llogari gabim që duhet t’i përditësojnë të dhënat në ATK dhe më pas do tu realizohen pagesat e ndara nga qeveria, në shumën prej 290 euro për një punëtor.
Zëdhënësi në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini tha për RTKlive se sipas Vendimit të Qeverise për masën 1.1 (60 milion) nga pako e ri-mëkëmbjes, që nga data e fillimit të zbatimit të kësaj mase më 13.10.2020 e deri më sot, janë ekzekutuar pagesa për 31,001 përfitues-biznese në shumën prej 57,304,976.4 euro.
“Janë gjithsej 5,678 biznese pa llogari ose me llogari gabim që duhet të përditësohen dhe më pas do të realizohen pagesat. Për këtë është bërë thirrje vazhdimisht që të përditësohen të dhënat në EDI sistemin e ATK-së. Gjithashtu, ka edhe disa raste që përkundër që pagesa është ekzekutuar, për shkak të disa gabimeve në llogari apo mospërputhjes se të dhënave të deklaruara nga biznesi me bankën përfituese, pagesat janë kthyer dhe janë në proces trajtimit”, tha ai.























