Debati - jetik për çdo demokraci

Debati - jetik për çdo demokraci

Në SHBA po bëhet e qartë se çfarë ndodh kur një shoqëri nuk lë më hapësira për të diskutuar për pozicione të ndryshme: ajo gërryhet nga brenda.

Shtetet e Bashkuara kanë qennë gjithmonë vend i kundërshtive. Një komb i polarizuar. Ka vetëm dy parti që luajnë vërtet rol në politikë. Qeveritë nuk duhet të kërkojnë kompromise për koalicione qeveritare, ato ose e kanë shumicën, ose i kanë humbur zgjedhjet. Qëndrimi në dy fronte që nga koha e luftërave për pavarësi reflektohet edhe në media. Gazetat e para të publikuara në shekullin e 18-të gjithmonë për vendime të rëndësishme politike pozicionoheshin qartë. Si në shumë vende të tjera edhe televizionet private apo publikimet simpatizohen me drejtime të caktuara politike. Përkatësisht zgjidhet edhe konsumi mediatik, hapet ai televizion apo gazetë, klikohet ajo faqe interneti, ku ndjehesh i afërt politikisht.

Qendrat mediatike si aktorë politikë

Dy gjëra kanë ndryshuar me themel në katër vite Donald Trump:

1- Mediat amerikane kanë hequr dorë të kërkojnë një raportim objektiv politik dhe janë kthyer në aktorë politikë.

2- Pretendimet e vazhdueshme të Trumpit, mediat nuk janë gjë tjetër veçse "shtyp i gënjeshtërt", kanë dhënë efekt: Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e ulët besueshmëria e gazetarëve. E të dyja këto pika kanë lidhje me njëra-tjetrën. Përveç kësaj mediat sociale veprojnë si përforcuese.

Në Shtetet e Bashkuara ka shumë pak hapësira publike, për të diskutuar në mënyrë kontroverse koncepte politike e propozime për zgjidhje. Kjo fushatë zgjedhore na tregon në mënyrë brutale, se çfarë pasojash sjell kjo: Gjithnjë e më shumë njerëz i besojnë vetëm flluskës mediatike sociale, që vizitojnë gjithmonë për të siguruar informacionet e tyre. Pasoja fatale: Teoricienëve të konspiracionit dhe armiqve të demokracisë u janë hapur të gjitha kanatet.

Mediat me njëanshmërinë e tyre ekstreme e kanë humbur shansin për të luajtur rolin e korrigjuesit të besueshëm në një demokraci. Algoritmet, që shpërblejnë më bërtitësit dhe ekzaltuesit si titujt bombastikë, i kanë kapur për fyti diskurset e të dyja kampeve politike. Faktet, njohuritë nga shkenca nuk kanë shans të depërtojnë në këto flluska mediash sociale, që janë infiltruar ndërkohë nga pretendimet e Trumpit. Javët e fundit e kam përjetuar vetë, me çfarë fuqie bindëse, amerikanë të zakonshëm pretendojnë, se Hillary Clinton mban në bodrumë fëmijë të fshehur dhe se COVID-19 nuk është gjë tjetër, veçse përpjekja e një grupi të caktuar që të marrë në dorë jo më pak, se sundimin botëror.

Rreziku i shpërbërjes së një kombi

Nga ana tjetër jo rrallë takon të vetëkënaqur, qytetas në gjendje të mirë ekonomike, që nuk tregojnë asnjë lloj gatishmërie për të kuptuar botën e familjeve që janë të varur me breza nga vendet e punës në fabrika, që gjithnjë e më shpesh mbyllen. Apo janë të varur nga nxjerrja e qymyrit që nuk ka të ardhme.

Kjo të tremb. Dhe duhet të të trembë. SHBA për shumë arsye janë të rrezikuara të humbasin unitetin. Kjo lidhet me sistemin arsimor, por edhe me zhvillimin demografik. Fakti që për dy dekada dominimi i të bardhëve - të paktën në shifra - do të marrë fund, krijon pasiguri, e trondit bazamentin e menduar si të sigurtë, dhe tregon, se sa i thellë është racizmi në disa pjesë të vendit. Njerëzit në SHBA janë çmësuar me debatin e argumenteve politikë dhe izolohen gjithnjë e më shumë në hapësirat e medias sociale. Por ky rrezik nuk është karakteristikë vetëm e SHBA.

Fakte dhe përpjekje për objektivitet

Demokracitë jetojnë nga debati, nga grindja për rrugën më të mirë. Ato mund të ekzistojnë në rrethana të caktuara. Njëra prej tyre është roli i fakteve. Nuk mund të diskutosh më, nëse gjithnjë ia del mbanë për çdo argument që nuk të pëlqen duke përdorur përgjigjen "Këto janë fake news". A mund të ndalet ky zhvillim? Nëse, vetëm me një fokusim të veçantë në shkolla. Fëmijët duhet të mësojnë të veprojnë me mediat sociale, të dallojnë, cila është propaganda, cili aktivizmi. Cilat faqe interneti janë të besueshme. Cilat grupime jo. Këtu kërkohet puna e punonjësve të medias. Ne duhet të përpiqemi për objektivitet për të rifituar besueshmërinë që të mbetemi edhe më tej aktorë relevantë në një demokraci./DW