Zemaj e Ramadani: Situata epidemiologjike me COVID 19 është serioze
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani thonë se situata epidemiologjike me COVID-19 është serioze dhe me tendencë përkeqësimi.
Kështu u tha në takimin e rregullt javor midis përfaqësuesit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ministrit të Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, me partnerët ndërkombëtarë (Misionet diplomatike, Komisioni Evropian, Agjencitë e OKB-së në Kosovë) ku diskutua për masat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në menaxhim të epidemisë me COVID 19.
Vlerësimi i Zemajt e Ramadanit se situata është serioze dhe se ka tendencë përkeqësimit, erdhi pas rritjes së numrit të qytetarëve të prekur me COVID-19 KU ditët e fundit ka arritur në 120 të infektuar në 100 mijë banorë.
“Prandaj, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, të cilat janë në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe në mbikëqyrje të zbatimit të masave, nëse do të jetë e nevojshme, do të rekomandojnë dhe do të ndërmarrin veprime shtesë për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Partnerët ndërkombëtarë, shprehen mbështetjen e plotë për masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë, si dhe kërkuan angazhim shtesë në monitorimin e situatës”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje në komunikatë thuhet se nëse do të jetë e nevojshme nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave, për të vënë nën kontroll shpërndarjen e virusit dhe mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor. Të gjitha palët u dakorduan që të intensifikojnë komunikimin me qëllim të rishikimit të gjendjes epidemiologjike dhe në rast nevoje të ndërmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me situatat e krijuara.























