Kurti: Vjena përjetoi një akt terrori famëkeq
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar ndaj sulmeve terroriste në Vjenë. Kurti ka shkruar se Vjena e përjetoi një akt terrori famëkeq, teksa theksoi që të bashkuar e në solidaritet qëndrojmë pranë më të dashurve të viktimave dhe të të lënduarve, si dhe mbarë popullit të Austrisë.
“Pas sulmeve në Dresden të Gjermanisë ku u vra një e një tjetër u lëndua rëndë dhe në Paris e Nicë të Francës ku u vranë njëherë një e pastaj tre, edhe Vjena përjetoi një akt terrori famëkeq. Sulme të tilla rëndojnë mbi familjet e viktimave dhe popujve të tyre, por fuqizojnë bindjen dhe idealin njerëzor anekënd globit për t’i dënuar ato dhe për të rezistuar ndaj çdo përpjekje për të mbjellë frikë në jetët tona. Të bashkuar e në solidaritet qëndrojmë pranë më të dashurve të viktimave dhe të të lënduarve, si dhe mbarë popullit të Austrisë”, ka shkruar Kurti.























