Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së reagojnë ndaj bastisjeve të EULEX-it
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, reagojnë ndaj spektakleve që bëhen me anë të bastisjeve të pjesëtarëve të UÇK-së dhe konsiderojnë se çdo veprim i Gjykatës Speciale, jashtë mandatit të saj, është i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues.
“Ne si organizata jemi duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës që skadimin e mandatit të kësaj gjykate ta dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në një reagim të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Gjatë ditës së sotme pritet transferimi i Jakup Krasniqit për në Hagë. Kështu ka bërë të ditur, avokati mbrojtës Valon Hasani, i cili ka njoftuar se aktakuza është konfirmuar.
“Krejt çfarë mund të konfirmoj është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, ka deklaruar Hasani për KosovaPress.
Ndërkohë që pjesëtarët e EULEX-it po qëndrojnë në oborrin e familjes Krasniqi edhe në fshatin Negrovc të Drenasit, që është edhe vendlindja e Jakup Krasniqit, shtëpia e së cilit është bastisur sot në Prishtinë.























