Sherifi: Të përgatitemi që betejën ta fitojmë në sallën e gjyqit
BKT
Lajme

Sherifi: Të përgatitemi që betejën ta fitojmë në sallën e gjyqit

Nisma Socialdemokrate ka kërkuar nga Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës të jenë në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë të UÇK-së, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale për ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Bastisjet e sotme të EULEX-it në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit, partia e Fatmir Limajt e konsideroi të panevojshme, pasi vlerësuan se Krasniqi ka treguar shembull të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për medie, sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi tha se vendi tashmë duhet të përgatitet që betejën për drejtësi të fitojë në sallën gjyqit në Speciale.

“Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, shoqëria në përgjithësi duhet të jenë në nivel të përgjegjësive të veta, sidomos Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë të popullit të Kosovës të udhëhequr nga UÇK. Ne jemi të vetëdijshëm se tashmë beteja do të zhvendoset në sallat e gjyqit dhe institucionet e vendit. Që nga institucionet e drejtësisë, qeveria dhe parlamenti duhet të përgatitin se të gjithë ata, përfshirë dhe Krasniqin që iu ka ra hise të ballafaqohen me këtë padrejtësi, të kenë mbështetjen e shtetit të Kosovës në mënyrë që edhe këtë betejë që tanimë është zhvendosur nga malet e Berishës në sallat e gjyqit, ta bëjmë bashkë si institucione dhe shoqëri”, tha Sherifi.

Krahas kësaj, ai tha se aksioni i bastisjeve të sotme të EULEX-it kanë qenë traumatike edhe për familjen e Krasniqit.

“Ne vlerësojmë se kjo që kemi parë sot ka qenë plotësisht e panevojshme. Jakup Krasniqi është një njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar drejtësisë, i cili tërë jetën ka luftuar për drejtësinë kolektive. Ai ka sakrifikuar lirinë individuale në të gjitha etapat e jetës së tij në funksion të lirisë kolektive, drejtësisë kolektive. Po ashtu, siç e dini të gjithë, zotëri Krasniqi çdo herë iu ka përgjigjur ftesave që kanë ardhur nga organet e drejtësisë si vendore ashtu dhe ndërkombëtare. Madje, jo vetëm zotëri Krasniqi, por të gjithë pjesëtarët e UÇK-së që deri tani kanë bërë të njëjtën gjë. Gjithashtu, edhe shteti i Kosovës ka vepruar njëjtë. Prandaj sot konsiderojmë se skenat që po i shohim dhe jemi të bindur në këtë se janë të panevojshme. Por gjithsesi traumatike për familjen”, tha ai.

Sherifi tha se arrestimi dhe bastisja e Krasniqit gjoja për krime lufte po ndodh kur, ish-zëdhënësi i kasapit Millosheviq, tashmë kryetar i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq kërcënon për mos publikim të varrezave masive me shqiptarët e vrarë në Kosovë.

“Zëdhënësi i Millosheviqit, njëri nga kreatorët e politikave të gjenocidit në Kosovë zgjidhet kryetar i Kuvendit, bën ftesë, kërcënon për mos deklarim dhe informim të publikut ku gjendet varrezat, zëdhënësi i UÇK-së ftohet, arrestohet, bastiset për gjoja krime lufte. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi përmes institucionit të Gjykatës Speciale. Tashmë duhet të përgatitemi që këtë betejë të fitojmë në sallat e gjyqit, ashtu siç e keni fituar në luftën tonë çlirimtare së bashku me aleatët tanë”, u shpreh ai.

Ish-shefi i grupit parlamentar të Nismës në legjislaturën e kaluar tha se UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë dhe asgjë nuk mund të njollosë luftën e saj çlirimtare.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi prej orëve të para të mëngjesit është duke u intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale, ndërsa sot gjatë ditës pritet të transferohet në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme