Publikohet dokumenti - Si e paralajmëroi Sllovakia Austrinë për terroristin
BKT
Lajme

Publikohet dokumenti - Si e paralajmëroi Sllovakia Austrinë për terroristin

Autoritetet e Sllovakisë kishin informuar ato të Austrisë se më 21 korrik të këtij viti, Kujtim Fejzullahi me një tjetër, kishin tentuar të blejnë armë dhe municion në Bratislavë.

Përmes INTERPOL’it, autoritetet austriake më 10 shtator identifikuan njërin prej tyre.

Mediat austriake sot kanë raportuar për “dokumentin e skandalit” të natës së terrorit në Vjenë.

Në dokumentin e publikuar nga “Heute”, thuhet se janë të dhënat e Kujtim Fejzullahit, i cili kishte tentuar të blinte armë dhe municion në Bratislavë.

“Ministria e Brendshme e Republikës Sllovake paralajmëroi austriakët qartë: Në një letër për përdorim zyrtar. Më 21 korrik 2020, sipas gjendjes së informacionit, dy persona u përpoqën – ndoshta me një gjuhë arabe, turke ose çeçene – në dyqanet e armëve në Bratislavë për të blerë municione 7.62 x 39 mm për pushkën sulmuese AK-47 (Kalashnikov). Këta njerëz përdorën makinën e pasagjerëve BMW, ngjyrë të bardhë, regjistrim austriak: W – *****”, thuhet në raportimin e mediave austriake.

I gjithë informacioni u dërgua në institucionet austriake përmes zyrës ndërlidhëse të EUROPOL-it më 23 korrik 2020.

“Zyra austriake e ndërlidhjes e EUROPOL na njoftoi këtë informacion në 10 shtator, 2020: Policia austriake identifikoi njërin nga dy burrat që donin të blinin municionin për AK-47. Ndoshta xxx xxxx (atentatori), i lindur xxxxx në Mödling, shtetas austriak, banor: xxxxxxx Vjenë (shënim: të gjitha të dhënat e sakta) Policia austriake ka dijeni për sa më sipër në lidhje me terroristin. Në 2019 ai u dënua me 22 muaj sipas §278a (organizatë kriminale) dhe § 278b (shoqatë terroriste) të Kodit Penal Austriak”, thuhet tutje.

Vetura ishte në pronësi të një gruaje nga Kosova. Ndaj djalit të saj janë ngritur procese gjyqësore, pasi kishte qëndrim pozitiv ndaj xhihadit dhe Shtetit Islamik.

“Pronar i veturës BMW 320d, numri i regjistrimit: W – ***** është xxxxxxx i lindur xxxxxx në Kosovë, banor: xxxxxxWien. Policia austriake nuk ka të dhëna kriminale për këtë grua. Djali i saj xxxxxxx, i lindur në xxxxxx, jeton në të njëjtën adresë. Për shkak të radikalizimit të tij, tashmë janë ngritur procese gjyqësore kundër tij. Ai vizitonte rregullisht një xhami, është rreptësisht fetar dhe ka një qëndrim pozitiv ndaj xhihadit dhe Shtetit Islamik”, bëjnë të ditur mediat.


MË SHUME NGA Lajme