Edhe presidentit Hashim Thaçi i konfirmohet aktakuza
Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se sot i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.
“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent se gjyqtari i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Janë këto momente të vështira për mua dhe familjen time dhe për juve që më keni mbështetur për këto tri dekada në kuadër të përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, ka deklaruar presidenti Thaçi.
Ai ka bërë të ditur se do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment do të jetë në dispozicion të drejtësisë.
“Duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë. Prandaj, sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos humbni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada. Kemi fituar lirinë, pavarësinë dhe tani po ndërtojmë dhe zhvillojmë vendin tonë", ka shtuar Thaçi.
Ai tutje ka theksuar se aktakuza kundër tij dhe bashkëluftëtarëve të tij është çmim i vogël i radhës që kërkohet ta paguajnë për lirinë e vendit dhe popullit tonë.
"Shumë lehtë sikur edhe të tjerët kam mundur të mos jem fare këtu sot në këtë botë, sikur edhe mijëra bashkëkombës tonë që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Unë jam me fat që jam gjallë dhe kam parë me sytë e mi dhe e kam përjetuar ëndrrën tonë shekullore duke u bërë realitet. Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së, vlerës më sublime të kombit shqiptar. Jam krenar që së bashku me Bashkësinë Ndërkombëtare, me aleatët tanë me NATO-n kemi luftuar regjimin gjenocidial të Millosheviqit dhe që bashkërisht e kemi fituar lirinë", ka deklaruar tutje presidenti.
Ai tutje ka ftuar për tolerancë, bashkëjetesë dhe unitet politik në vend. "Fitorja jonë e përbashkët gjithmonë ka nënkuptuar edhe përgjegjësi. Prandaj, menjëherë kemi qenë të përkushtuar për shtetndërtim dhe pajtim ndëretnik. Vetëm toleranca, respekti dhe bashkëjetesa janë ato që e çojnë vendin dhe shoqërinë tonë përpara. Jemi popull liridashës, por jo popull hakmarrës. Prandaj, asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima, Serbia ka qenë agresori, andaj kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar në vend dhe duke thelluar bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare. Të dashur qytetarë, ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet e bashkim. Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë. Suksesi ynë është Kosova e lirë, shtet i gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnik. Jemi shtet demokratik dhe shoqëri ku sundon ligji dhe drejtësia. Kosova është storie e suksesit, e suksesit qytetar e institucioneve të vendit por edhe e përkushtimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkësinë Ndërkombëtare. Duhet ta ruajmë besimin në dialog të brendshëm, në dialog ndërfqinjësor dhe në paqe në rajon”, është shprehur Thaçi.























