BE-ja ende pa koment për aktakuzat ndaj liderëve politikë në Kosovë
BKT
Lajme

BE-ja ende pa koment për aktakuzat ndaj liderëve politikë në Kosovë

Bashkimi Evropian ende nuk komenton zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me njoftimet për konfirmimin e aktakuzave ndaj disa liderëve të Kosovës dhe efektin që këto zhvillime mund të kenë në dialogun i cili me lehtësimin e BE-së po zhvillohet në Bruksel.

“E gjithë kjo është bërë e ditur vëtëm para pak çastesh. Sa i përket rasteve individuale siç e dini ne gjithmonë jemi përmbajtur nga komentimi i tyre si dhe nga komentimi i veprimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 5 nëntor njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë, i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se për shkak se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës, ai jep dorëheqje nga kjo pozitë.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajmin e konfirmoi vetë Veseli përmes një deklarate për opinion, ku po ashtu njoftoi se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjet këtyre akuzave. Ai tha se do të udhëtojë këtë mëngjes drejt Hagës. (REL)


MË SHUME NGA Lajme