Krasniqi: Kosova u godit në tru!

Krasniqi: Kosova u godit në tru!

Profesori dhe analisti i njohur i rrjedhave politike, Milazim Krasniqi mendon se ngritja e aktakuzave nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe bartësve të tashëm të institucioneve dhe partive politike është një goditje e madhe për vendin tonë.  

“Fatkeqësisht kjo situatë i ngjet titullit të Markesit “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar”, d.m.th është diçka që është paralajmëruar shumë gjatë, që në fakt ka krijuar një lloj narkoze edhe në opinionin publik. Përndryshe ky është një zhvillim dramatik për vet fatet e vendit tonë sepse nuk janë në pyetje vetëm fatet personale të këtyre politikanëve, por është në pyetje në fakt edhe vetë e ardhmja e vendit. Kjo për faktin se nëse tërë kreu i UÇK-së dhe një pjesë e madhe e kreut shtetëror të vendit penalizohen, atëherë hapen dilema serioze edhe me vetë fatet e këtij vendi”, ka theksuar prof. Krasniqi në RTK.

Prandaj, sipas tij, në këtë aspekt, jashtë qëndrimeve personale që mund të kemi për individët e caktuar, këtu bëhet fjalë për një goditje të rëndë mbi vetë lirinë dhe mbi vetë shtetin e Kosovës.

“Po çuditem me retorikën e vetë këtyre njerëzve që po thonë se besojnë në drejtësi dhe që besojnë se do të dalë mirë. Unë fare nuk besoj në këtë lloj drejtësie që është selektive, që është e imponuar dhe që në fakt është jashtë mandatit të vet, prandaj mendoj se narrativa për Gjykatën Speciale duhet të unifikohet tek ne shqiptarët dhe të krijohet një qëndrim unik lidhur me të sepse kjo mënyrë se si po trajtohet besoj që nuk është mënyra adekuate”, ka shtuar Krasniqi.

Ai mendon se duhet të ndahen gjërat në aspektin juridik dhe politik, teksa thotë se kjo është në goditje në tru për vendin tonë.

“Ajo që eventualisht gjykata ka si dëshmi mbetet që të trajtohet në procese gjyqësore të atjeshme, por këtu duhet të fokusohemi në konsekuencat politike që tashmë janë shkaktuar.  Faktikisht Kosova është goditur në tru, sepse në momentin që goditet në këtë mënyrë, ku presidenti detyrohet të japë dorëheqje, pastaj njëri nga liderët e opozitës dhe njëri nga shefat e grupit parlamentar, atëherë kemi të bëjmë me një goditje mbi vetë institucionet e vendit. Nuk jam prej atyre që mendojnë se njerëzit janë figura të shahut, ku mundet të hiqet një figurë dhe vendoset një figurë tjetër. Figurat vendosen por nuk janë adekuate. Prandaj në këtë aspekt mendoj se pasojat politike janë të mëdha”, është shprehur profesor Krasniqi.

Ai ka thënë se para disa ditësh ka pasur një preokupim të kësaj natyre dhe ka propozuar që urgjentisht në Kosovë do të mbahet një tryezë e përbashkët e partive politike parlamentare, në të cilën ato do të duhej të merrnin ca vendime në pajtim me situatën e krijuar.

“Duhet të lihen anash rivalitetet politike dhe të vihet te një fokusim absolut se si të mbrohet shteti i Kosovës në këtë situatë ku të gjithë armiqtë janë trimëruar dhe kur goditja ndaj vendit tonë mund të jetë shumë e madhe. Besoj që nëse nuk ndodhë kjo, pra nëse nuk realizohet kjo tryezë e partive dhe nëse nuk merren disa vendime e të krijohet një kalendar për zgjedhjet presidenciale e parlamentare, pra të krijohet një trase se si të dilet nga kriza, kam frikë se kjo krizë do të riciklohet dhe do të kemi probleme shumë më të mëdha”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai e sheh si absurde faktin se nuk ka unitet brenda vendit, kur Kosova po kalon në një situatë kaq të vështirë, derisa mendon se shumica e politikanëve nuk e kanë kuptuar asnjëherë statusin e vendit tonë.

“Absurdi është se këtu brenda ka një përçarje të madhe, ndërsa në Hagë janë bashkë përfaqësuesit e partive kryesore. Kjo na tregon absurditetin e ndarjeve që ekzistojnë. Shumica e politikanëve në Kosovë nuk e kanë kuptuar kurrë statusin e Kosovës. Kosova nuk është shtet i përfunduar, është shtet nën mbikëqyrjen ndërkombëtare që menaxhohet nga Rezoluta 1244, nga KFORI, EULEX-i e Gjykata Speciale.

Në vend se partitë politike ta kuptonin këtë realitet dhe ta krijonin një front të përbashkët për ta përballuar presionet edhe nga armiqtë e Kosovës edhe nga statusi i pazgjidhur, këta janë lëshuar si çafkat në luftë të brendshme duke ia nxjerrë sytë njëri – tjetrit dhe kjo e  ka sjellë dobësimin e institucioneve të vendit dhe dobësimin e imazhit të shtetit në arenën ndërkombëtare. Pra nëse nuk nxirret një konkluzion prej kësaj përvoje të hidhur, të këtyre përçarjeve të brendshme, të cilat e kanë dobësuar shtetin, definitivisht mendoj se kjo elitë politike nuk meriton që ta ketë pozitën që e ka në shoqërinë e Kosovës”, ka përfunduar Krasniqi./RTKLIVE/


MË SHUME NGA Aktuale