Cakaj: Asnjë gjykatë s`mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të UÇK-së
BKT
Lajme

Cakaj: Asnjë gjykatë s`mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të UÇK-së

“Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t`i shlyejë krimet kundër njerëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Pikë!”, kështu ka reaguar ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj për aktakuzat e konfirmuar nga Specialja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Çakaj thotë se Serbia e jo Kosova do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale.

Mes tjerash Cakaj ka theksuar se “Sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t'i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Ata sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës”.

Njoftimi i plotë i Cakajt:

Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t'i shlyejë krimet kundër njerëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Pikë!

Kërkesa e drejtësisë së vërtetë është e qartë:

Serbia, jo Kosova, do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës (të veshur edhe me kostumin e politikanëve të sotëm) para drejtësisë.

Krimet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Kosova s'ka asgjë për të fshehur: lufta e saj ka qenë e pastër dhe e drejtë.

Sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t'i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Ata sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës.

Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova, si gjithmonë, do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave!

 


MË SHUME NGA Lajme