Liria shqiptare është liri e njerëzimit

Liria shqiptare është liri e njerëzimit

Ballsor Hoxha

Çka po ndodh me ne? Pse po ndodh tërë kjo dramë me ne shqiptarët? Apo, si është e mundur që në dy ditë të jemi terroristë, dhe më tutje të jemi një shoqëri e tërë e thirrur, e ulur dhe e akuzuar në gjykatë?

I.

Disa ditë më parë një shqiptar, me origjinë nga Kosova, i lindur në Austri, terrorizoi një qytet të tërë, duke vrarë shqiptarë, po ashtu, dhe duke u arrestuar nga shqiptarët, po ashtu. Ishim kuriozitet, lajm, dhe terror “live” në tërë botën! Të gjithë shqiptarë, në Austri! Prej terroristit, tek policja, e deri tek viktima, shqiptarë që jetojnë në Austri! Shoqëri e bartur, e shpërngulur, e zhvendosur, shoqëri që në mungesë të mundësisë për jetë në vendlindjen e tyre, janë bartur “instant, në një jetë tjetër, jetojnë ‘diku tjetër”.

Në tërë zinxhirin e mbrujtjes së kësaj dhune dhe terrori nga një shqiptar në Austri, në epiqendrën e saj rri pamundësia e të qenit shqiptar, qoftë edhe në vendlindje. Pamundësi e të qenit. Pamundësi e të jetësuarit të vetes.

Rasti i terrorit nga një shqiptar në Austri është zinxhirë i dhunës së përjetuar, si rast i këputjes së shpresës, ndalimit të ardhmërisë, në përvojën dhe përpjekjen burimore të saj.

II.

Ka kohë që tërë UÇK po thirret, po akuzohet, e po gjykohet! Tanimë tërë kryesia e saj janë pjesë e gjykimit. Të trajtuar si kriminelë, dhe të akuzuar si kriminelë.

UÇK disa herë është fajësuar dhe gjykuar, dhe ka dalë e lirë nga gjykatat ndërkombëtare. UÇK, si çdo formacion ushtarak ka pasur edhe gabimet, edhe politikat, edhe strategjitë por edhe krimet e saj, qoftë si vetëmbrojtje e qoftë si luftë. Në luftë edhe ‘luftohet’.

UÇK për kohë të shkurtë pas lirisë kaloi në një epope gjigante, kaloi në një fitore heroike gjigante. Në anën tjetër, UÇK, ka qenë ushtri përballë miliona refugjatëve nga populli i saj. Por tërë ky paradoks, është vetë gjigantësia e dhunës, dhembjes dhe vuajtjes së përjetuar, qoftë të luftëtarëve të UÇK dhe qoftë të vetë shoqërisë.

Pafuqia ushtarake, luftërat partizane të UÇK-së, dhe në fund liria e ardhur përmes po të njëjtave kanë rikthyer vetëdijen e një shoqërie në ngadhënjim moral. Përpjekja e saj për liri, si instinkt dhe nevojë qenësore e njeriut, në ngadhënjim të të gjithë neve. Ky ngadhënjim ka kthyer në sinonim të lirisë UÇK-në. Dhuna e përjetuar, dhe vuajtja e një shoqërie të tërë kanë kaluar në krenari.

Dhe po e njëjta, sot po gjykohet!

 

Çka do të thotë të jesh shqiptar?

Në përgjigjen e kësaj pyetje është e pamundshme të mos vazhdosh të pyetesh, po ashtu, ç’ është liria? Nëse ajo është liri, si fenomen universal, apo edhe e ndarë në liri shqiptare!

Kjo po ashtu të shtynë të pyetesh nëse ka dallim liria. Nëse liria mund të jetë shqiptare. Nëse ajo është e manipulueshme, e abuzueshme, e porositur, e kufizueshme, etj.

Nëse liria është e drejtë për terror? Apo nëse është masë për argumentim të tjetrit.

Një shoqëri e tërë në gjykatë! Pjesë e tërë e një shoqërie terroristë! Kjo është ‘liri’ e hartuar, liri e planifikuar nën argumentin e kalkulimit, kjo është liri në raport me egon e tjetrit, kjo është liri e bartshme, instant liri për një përdorim!

Terrori që shpërtheu në Austri, nga shqiptarët, nuk është vetëm terror i implantuar nga tjetri. Ai është terror i reagimit të natyrshëm të njeriut. Të njeriut i cili ka arritur kufirin e ndalimit. Kufirin e pamundësisë. Është i mbrujtun në zinxhirë, nga të qenit i pamundshëm me jetën dhe origjinën tënde. Është i lindur në liri të dhunshme, deri tek pamundësia e reagimit, dhe pamundësia e krijimit të lirisë tënde.

Liria shqiptare është liri e hapit të madh të njerëzimit, të pranimit të një padrejtësie gjigante historike ndaj një shoqërie të tërë në një histori të tërë. Është liri e fituar së bashku, për tërë njerëzimin. Dhe me këtë, nën ankthin e të ecurit të njerëzimit, është kompleksi dhe vrima e zezë ku mund të humb pesha e vetë lirisë dhe jetës së njeriut. Andaj dhe gjithë kjo dramë, kjo krizë dhe ky krater që kalon nëpër shoqërinë tonë. Jemi të mallkuar me lirinë tonë.