Meta: Krijimi i Gjykatës Speciale investim i Serbisë
“Krijimi i Gjykatës Speciale ishte investim i Serbisë dhe i aleatëve të saj, është dhe një çmim që paguhet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta në një prononcim për mediet nga Bylisi.
Ai tha se absolutisht kjo është një përpjekje e dështuar për të vënë në diskutim luftën e drejtë dhe heroike të shqiptarëve të Kosovës apo dhe për të futur në krizë shtetin e Kosovës.
“Kam besim te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i të gjithë udhëheqësve të Kosovës për të përballuar këtë sfidë me shumë dinjitet. Kosova është tashmë një faktor i qartë i stabilitetit të këtij rajoni, është një vend demokratik pavarësisht nga disa bllokada pabesie të cilat kërkojnë të vënë në pikëpyetje integritetin e saj. Kjo gjë nuk do ndodhë dhe jam i sigurt se në këtë sfidë shqiptarët kudo ku janë do jenë edhe më të bashkuar dhe do jenë me syçelët dhe do të rrinë pak pagjumë por do ia dalin mbanë “, tha Meta.























